Rreth 9 mijë zyrtarë të Ministrisë së Brendshme turke, pjesa më e madhe policë dhe xhandarë u shkarkuan nga funksioni pas përpjekjes së dështuar të grushtit të shtetit. Kjo valë shkarkimesh po kryhet në kuadër të një spastrimi të gjerë të aparatit shtetëror me urdhër të presidentit turk, Rexhep Tajip Erdogan. Kryeministri turk, Binali Yildirim deklaroi se një rikthim i mundshëm i dënimit kapital i përmendur në Turqi pas dështimit të grushtit të shtetit do të parashtronte domosdoshmërinë e një debati në Parlament. “Kjo është një çështje që duhet të diskutohet në mënyrë të detajuar në Parlament, duke kërkuar një ndryshim të Kushtetutës”, deklaroi kreu i qeverisë turke, duke shtuar se nuk do të ishte e arsyeshme të merrej një vendim i nxituar, megjithëse kërkesa e popullit nuk mund të injorohet. Komisioneri Evropian për Zgjerimin, Johannes Hahn, deklaroi se qeveria turke ka përgatitur një listë me persona për ekzekutim dhe arrestim përpara përpjekjes së grushtit të shtetit.

“Të paktën diçka ka qenë e përgatitur. Fakti se listat janë të gatshme menjëherë pas ngjarjes tregon se kjo ishte përgatitur dhe se duhej të shfrytëzohej në një moment të caktuar”, dekaroi Johanes Han, Komisioneri Evropian për Zgjerimin.

Shefja e diplomacisë evropiane, Federica Mogherini i bëri të qartë Turqisë se nëse e njeh dënimin me vdekje nuk mundet nuk mundet të jetë anëtare e familjes evropiane.

“Asnjë shtet nuk mundet të bëhet anëtare e BE-së nëse njeh dënimin me vdekje. Turqia është pjesë shumë e rëndësishme e Këshillit evropian, është anëtare shumë e rëndësishme e Këshillit, dhe si e tillë është e detyruar nga Konventa evropiane për të drejtat e njeriut e cila është shumë e qartë sa i përket dënimit me vdekje”, tha Frederica Mogherini, shefe e diplomacisë evropiane .

Sekretari i amerikan i shtetit Xhon Kerry tha se SHBA i përkrah përpjekjet e Turqisë për ta sjellë drejtësinë në vend por vetëm nëse kjo bëhet sipas ligjit. Kerry i bëri thirrje Qeverisë turke që ta ruajë paqen dhe stabilitetin si dhe t’i respektojë institucionet demokratike.

“Ne qëndrojmë fuqishëm në anën e lidershipit të zgjedhur në Turqi”, u shpreh Xhon Kerry, Sekretar i shtetit amerikan.

Faqja Wikileaks thotë se është e gatshme të publikojë 100 mijë dokumente në lidhje me strukturën e pushtetit politik në Turqi. Në statusin e shkurtër në Twitter, Wikileaks nuk jep detaje të tjera se çfarë përmbajnë këto dokumente. Paralajmërimi vjen ndërkohë që mbrëmjen e së premtes u zhvillua një grusht shteti i dështuar që në nisje ku mbetën të vrarë më shumë se 290 persona ndërsa më shumë se 1400 të tjerë u lënduan.