Me optimizëm të matur dhe vetëbesim në potencialin e ekipit, por njëkohësisht me kujdes dhe respekt maksimal për rivalin Shkëndija kërkon të materializojë triumfin 2:0 nga ndeshja e parë me Krakovian në Shkup. ‘Kuqezinjtë’ me optimizëm presin ndeshjen e kthimit të enjten në orën 20:00 në Krakov, duke shpresuar të marrin rezultat që çon në raundin e dytë.

Shefi i stafit teknik Bruno Akrapoviq dhe kapiteni Ferhan Hasani kanë folur me optimizëm para mediave në Krakov për ndeshjen e të enjtes. Shkëndija mundi 2:0 Krakovian para një jave në Shkup, ndërsa tani ne takimin e kthimit kërkon të mbrojë rezultatin për të materializuar fitoren e parë me kualifikim historik në xhiron e dytë të eliminatoreve të Liga Evropës.

Për ndeshjen që pason nesër në mbrëmje kemi rezultat që kemi shënuar në ndeshjen e parë, mirëpo assesi nuk mendojmë të lirohemi nga ai rezultat dhe epërsia 2:0, pasi që është rezultat i rrezikshëm. Mjafton një situatë që gjithçka të ndryshojë kështu që nuk do të lirohemi, Ne e dijmë kualitetin që posedon Krakovia dhe e dimë sa duhet të investojmë për të arritur qëllimin tonë përfundimtar, e ai është kualifikim në në raundin e ardhshëm“, deklaroi trajneri Bruno Akrapoviq para mediave polake në press konferencën zyrtare para ndeshjes së kthimit në Krakov të Polonisë.

“Ne jemi të vetëdijshëm se na pret ndeshje e vështirë. Ne në ndeshjen e parë treguam lojë të mirë dhe arritëm të shënojmë dy gola, por kjo nuk don të thotë se gjithçka ka mbaruar. Kemi të luajmë edhe 90-të minuta, nuk kemi ardhur këtu për tu mbrojtur, jemi këtu të tregojmë lojën tonë, kualitetin tonë dhe normal të shkruajmë historinë për të kaluar në raundin tjetër“, u shpreh kapiteni Ferhan Hasani.

Përballja Krakovia-Shkëndija luhet të enjten në stadiumin “Marshal Jozef Pilsudski” në Krakov të Polonisë me fillim në orën 20:00.