Firma ndërtuese që ka marrë përsipër ndërtimin e “Loro Boriçit” ka vijuar me intensitet punën për t’u mbyllur brenda afateve të përcaktuara të gjitha punimet në këtë impiant, që do ta përmirësojë dukshëm infrastrukturën e futbollit shqiptar.

Pas shtrimit të tapetit që në ditët e para të 2016-ës, ka nisur puna edhe për vendosjen e ndenjëseve, në mënyrë që në përfundim të muajit mars të mos ketë asnjë pengesë për hapjen e dyerve të këtij stadiumi për tifozët.

12509870_585694178245544_3992943700195514080_nNë tribunën përballë, në një nga sektorët që nuk është shembur, në rreshtat e parë janë vendosur disa stola me ngjyrë të kuqe, që do të kombinohen më tej me ndenjëse blu, duke respektuar simbolet e Vllaznisë.

Një lajm i mirë jo vetëm për tifozët shkodranë, por edhe për mbështetësit e Kombëtares, që mund të jenë më të shumtë në numër për të ndjekur kuqezinjtë, falë kapacitet prej 17 500 vendesh të këtij impianti.

Ritmi i punimeve është i kënaqshëm edhe në tribunën kryesore, e cila është ndërtuar nga e para.

Duke i përqendruar forcat paralelisht në disa sektorë, pritet që në fund të marsit “Loro Boriçi” të hapë dyert për t’u përuruar, ndoshta me një miqësore të Kombëtares.