Dënimi që iu shqiptua të dënuarve të rastit të Kumanovës, nxiti pakënaqësi te familjarët dhe qytetarët, të cilët sot në shenjë revolte protestuan para Gjykatës Themelore “Shkupi 1”. Protestuesit marshuan të qetë nga Sheshi “Skenderbeu”, duke kërkuar rigjykim të rastit dhe hetim ndërkombëtar, njofton Alsat M.

Dënimet arbitrare me 20, 40 vite dhe burg të përjetshëm janë të papranueshme për ne familjarët dhe për të gjithë botën demokratike. Kërkojmë që e gjithë ngjarja e 9-10 majit të hetohet dhe procedohet nga ndërkombëtarët – tha Dashurie Sefaj, Këshilli i Familjarëve të të Dënuarve.

Që e vërteta të del në sheh, është e patjetërsueshme ndihma e ndërkombëtarëve thotë kryetari i Shoqatës së të Burgosurve Politik, Shpëtim Pollozhani.

Kërkojmë nga faktori ndërkombëtarë dhe nga lojtarët global në këto hapësira që të intervenojnë siç kanë intervenuar tjetër herë këtu në Maqedoni, të përsëritet ky rast, dhe edhe pala shqiptare edhe ajo maqedonase ta dijë të vërtetën. Mu më vjen keq shumë për familjarët pasi e ndjej dhimbjen e tyre, shpresoj që ky të jetë fillimi i protestave dhe do vazhdojmë deri në lirimin e tyre – deklaroi Shpëtim Pollozhani, Kryetar i Shoqatës se të Burgosurve Shqiptarë.

Ish deputeti Hysni Shaqiri paralajmëron se pakënaqësia e qytetarëve për dënimin maksimal të grupit të Kumanovës, do të vazhdojë të shprehet në mënyra të ndryshme, derisa të arrihet në gjykim dhe hetim të drejtë.

Protestat duhet të vazhdojnë sepse kemi të bëjmë me një çështje shumë serioze dhe duhet të ia bëjmë me dije edhe shtetit Maqedonas dhe gjithë kësaj shoqërie se tani Maqedonia po futet në një krizë të thellë. Kjo nuk do të përfundojë kështu, jam thellë i bindur dhe pres nga faktori ndërkombëtarë që të ndërhyjë dhe të merr masat adekuate – tha Hysni Shaqiri, ish-deputet.

10 nga pjesëtarët e grupit të Kumanovës dhe 8 pjesëtarë të policisë gjetën vdekjen në lagjen e trimave, në mëngjesin e 9-10 majit. Për këtë ngjarje, u dënuan me burg 34 persona, 8 prej të cilëve me burg të përjetshëm, ndërsa 4 persona tjerë të dyshuar, u lëshuan në mungesë të provave. Ministri i Drejtësisë Bilent Saliji dhe ai i Punëve të Brendshme Oliver Spasovski, kanë thënë se për të gjitha rastet që dyshohet se janë të iniciuara politikisht, do të ketë hetim ndërkombëtarë.