Ndjekje, tentim plaçkitje dhe arrestim si në filma, u zhvillua mbrëmë në Ohër. Një 23 vjeçar nga Shkupi ka shkaktuar rrëmujë të vërtetë në qytet. Pasi ka ngrënë drekë në një restorant, sipas dëshmitarëve okularë, ai ka nxjerrë pistoletën duke ia drejtuar drejt vetes, me ç’rast ka trembur mysafirët të cilët kanë nisur të ikin. Djaloshi më pas është larguar nga objekti dhe është drejtuat drejt argjendarëve përgjatë çarshisë së Ohrit. Ka hyrë në disa prej tyre, duke lënë armën e tij në banakun e shitjeve.

Ai është futur në tre argjendari, duke mbajtur armën me diabola. Duhet të theksoj qetësinë e punonjësve të tre argjendarive, si dhe sjelljen e tyre, por edhe sjelljen e punonjësve të sigurimit… – deklaroi Stefan Dimovski – Zëdhënës i SHPB-Ohër.

Sipas policisë, 23-vjeçari H.S nuk vodhi asgjë, por u arrestua menjëherë pasi policia e kapi në mes të çarshisë.

Asnjë nga pronarët këtu në çarshinë e Ohrit nuk dëshiron të flasë publikisht për atë që ndodhi mbrëmë këtu në qendër të qytetit të    Ohrit, megjithëse thonë se shumica prej tyre ishin dëshmitarë të ngjarjes.

Jozyrtarisht, djaloshi ishte duke qëndruar në një vilë në fshatin Konjsko, nga ku me taksi erdhi në qytet dhe u përpoq ta sulmojë taksistin. Tani ndaj tij do të ngrihet akuzë penale. Kohë më parë është kapur edhe një grup prej tre personash nga Manastiri dhe Prilepi që kanë vjedhur në pjesën e vjetër të Ohrit, një ngjarje që tashmë ka ngjallur frikë midis banorëve për sigurinë në qytet. /Alsat M/