Është rritur ndotja e ajrit gjatë ditëve të fundit. Prania e grimcave kancerogjene PM10 në ajër, e ka kaluar kufirin e epërm të rrezikut dhe vazhdon të rritet. Rajonet më të prekura nga ndotja aktualisht janë: Shkupit, Kumanova, Tetova, Gostivari dhe Manastiri. Ministria e Mjedisit Jetësorë pranon se ndotja e ajrit këtyre ditëve ka shënuar rritje. Ata thonë se për këtë arsye qeveria ka përpara disa masa për luftimin e ndotjes dhe se janë detektuar burimet kryesore të ndotjes.

Ministra e Mjedisit Jetësorë dhe Planifikimit Hapësinorë

“Duke e pasur parasysh se zvogëlimi i ndotjes së ajrit fillimisht është definuar si prioritet strategjik i Qeverisë, me realizmin e planit pritet zvogëlim i ndotjes nga burimet në vijim: Ngrohja, transporti, industria, ndërtimtaria dhe mbeturinat”.

Organizata ekologjike “Eko Svest” thotë se masa e subvencionimit të inverterëve nuk është masë adekuate për luftën kundër ndotjes së ajrit, nëse nuk miratohet ndalesë ligjore për shfrytëzimin e derivateve të ndryshme për ngrohje.

“Dua të theksojë se kjo nuk duhet të kuptohet si masë afatgjate, sepse ne energjinë elektrike e marrim nga qymyri e cila gjithashtu ndotë. Masa për inverterët do të ishte e suksesshme vetëm nëse miratohet ndalesë ligjore për ngrohjen e shtëpive me derivate të forta. Sepse njëra masë pa ndalesën ligjore nuk do të jetë e suksesshme. Si do i obligoni ju qytetarët të cilët deri tani janë ngrohur me dru, mirë tani do të marrin inverter, ndoshta edhe do ua sjellin shporetin e vjetër, por si do i pengoni ata që mos të blejnë përsëri shporet të ri”, tha Elena Nikollovska – “Eko Svest”.

Sipas Nikollovskës, shkaktarët kryesorë të ndotjes së ajrit në rajonin tonë, janë: Ngrohja me dru dhe derivate të ndryshme, industria dhe automobilat e vjetër që nuk plotësojnë kriteret ekologjike. Viteve të kaluara kompetentët kanë marrë masa të ndryshme për të luftuar ndotjen, por pa rezultate konkrete. Çdo sezon dimërorë është shënuar me nivele të larta të ndotjes së ajrit. Para tre viteve, Tetova dhe Shkupi madje janë shpallur si qytetet më të ndotura në botë, kur prania e grimcave PM10 disa herë ka kapur edhe shifrën 1000, që do të thotë 20 fish më lartë se masa e lejuar. /Alsat M/