Komuniteti ndërkombëtar ka nisur bisedimet, pavarësish se deri tani nuk ka dalë ende me një qëndrim të qartë pas aktit të shpërndarjes së kuvendit një natë më parë. Bisedimet janë duke u zhvilluar vetëm me LSDM-në, siç mëson ALSAT, por asnjëra prej palëve nuk bëjnë të ditur detajet e negociatave, nëse flitet për bindjen e opozitës të marrë pjesë në zgjedhje, apo modalitetet të tjera. Për gati 1 orë e gjysmë, ambasadori i BE-së Orav qëndroi në selinë e LSDM-së, në takim ne lidershipin e kësaj partie. E pyetur për zhvillimet në Maqedoni, zëdhënësja e KE-së, Maja Kociançiq, tha se është bërë përparim për zgjedhjet, por deri te zgjedhjet korrekte ka ende punë për të bërë. Ajo iu bëri apel partive të mos i ndajnë sytë nga Marrëveshja e Përzhinës.

“Jemi duke i ndjekur nga afër zhvillimet në ish Republikës Jugosllave të Maqedonisë, ku pas dy muajsh do të vijojë procesi zgjedhor. Është bërë përparim gjatë përgatitjeve por ka ende shumë për t’u bërë, për t’u siguruar që zgjedhjet të jenë të sigurta, të besueshme dhe në përputhje me standardet. Është e rëndësishme që kjo punë është në vazhdimësi dhe ne si bashkësi evropiane do të vazhdojmë të angazhohemi bashkë me partnerët tanë në terren, e gjithashtu edhe me partnerët tanë ndërkombëtarë për këtë perspektivë”, tha Maja Kociançiç – Zëdhënëse E komisionit Evropian.

Qëndrimet e tyre i ndanë edhe dy euro-deputetët lehtësues të marrëveshjes së Përzhinës, Ivo Vajgël dhe Ricard Houit. Sipas Ivo Vajgël, vendimi për mos shkuarje në zgjedhje nga LSDM-ja paraqet goditje serioze ndaj proceseve demokratike e cila mund të ndikojë edhe në të ardhmen evropiane të vendit.

“Akuzat për parregullsi, mungesë të transparencës si dhe shtyrje të zbatimit të marrëveshjes së Përzhinës duhet të shqyrtohen me seriozitetin më të lartë. Komuniteti ndërkombëtar ka investuar përpjekje për t’i siguruar mundësi vendit për një fillim të ri në rrugëtimin drejt integrimit evropian”, u shpreh Ivo Vajgël – Eurodeputet.

Kurse Ricard Houit shtoi se nuk mund të bëhet ndarje mes datës së zgjedhjeve dhe cilësisë së procesit zgjedhor. Ai iu tërhoqi vërejtje njëkohësisht partive për të punuar ngushtë drejt pastrimit të listës zgjedhore dhe vazhdimin e reformave në media.

“Mbetem i angazhuar bashkë me partnerët e Maqedonisë në shqyrtimin e situatës, në interesin tonë të përbashkët të vlerave demokratike dhe të së ardhmes tonë evropiane”, ka thënë euro-deputeti Houit.

Pavarësisht pritshmërive, ende nuk ka një deklaratë të përbashkët nga misionet e huaja në vend, të cilat ishin edhe negociueset dhe garantueset për datën e zgjedhjeve 5 qershor.