Kandidati i Aleancës për Shqiptarët për Komunën e Dibrës sot e ka filluar kampanjën e tij zgjedhore, për Zgjedhjet Lokale në këtë Komunë. Kandidatura e Arben Agollit është përkrahur edhe nga Lëvizja BESA si dhe nga shumë qytetarë të cilët mendojnë se ai është i duhuri për të udhëhequr me Komunën e Dibrës në 4 vitet në vazhdim.

Sot, shtabi zgjedhor i Aleancës për Shqiptarët zyrtarisht hapi fushatën për qytetin e Dibrës, ku dhe caktoi agjendën e fushatës, si dhe mënyrën se si do të prezantohet kandidati përpara qytetarëve.

Pjesë e platformës së Agollit është zhvillimi ekonomik i Dibrës, zhvillimi i turizmit, zhvillimi i infrastrukturës, rritja e cilësisë së institucioneve, transparenca komunale, si dhe qasja më e lehtë e shërbimeve administrative.

Mesazhi që Arben Agolli dhe Aleanca për Shqiptarët do ta përçojnë në këtë fushatë deri tek votuesit është ‘Shpresë për Dibrën’. Arben Agolli, ashtu edhe si në fushatën e parë të tij politike, del me platformë të qartë dhe program të duhur për dibranët.

Kryetari i degës së Dibrës, nga radha e Aleancës për Shqiptarët ftoi që të përkrahet Arben Agolli sepse është momenti që të tregohet forca që shqiptarët do ta kenë duke votuar si ndaj Blerim Rekës si dhe ndaj së Arben Agollit.

Ndërsa, nënkryetari i Aleancës për Shqiptarët Remzi Mehmedi theksoi se në Dibër ka një fushatë të dyfishtë, por që fitorja në Dibër është siguruar që sonte. Mehmedi tha se misioni i dyfishtë i Dibrës është që të jap votë Arben Agollit, si dhe Blerim Rekës. Nga Dibra Mehmedi theksoi se do të fillojë fitorja e Aleancës për Shqiptarët për zgjedhjet e ardhshme parlamentare.

Arben Agolli, e nisi fjalimin duke falënderuar familjen e tij si dhe strukturat e Aleancës për Shqiptarët që ia dhanë përsëri mundësinë për të qenë kandidat për Komunën e Dibrës. Ai tha se përveç se do të jetë kryetar i Dibrës, do të jetë gjithmonë pranë dibranëve. Ai tha se do të ndalojë dallimet partiake, sepse Dibra është e dibranëve. Shpresa e Dibrës janë të rinjtë, dhe nuk jam unë – deklaroi Agolli. Motoja e të cilit do të jetë ‘Shpresë për Dibrën’.