Çfarë ka kërkuar nga unë-kam bërë!

Pasi t’i bie terri tokës, kur të gjithë i ndezin dritat në shtëpi, ti ndale dritën, ndez një qiri, se ashtu duhet.
E ndalja dritën, pikë për pikë sipas udhëzimeve të tij.

Banesa jonë ishte përballë stacionit policor, dhe meqenëse në atë pjesë të veriut të thellë jetonim pak familje shqiptare, fort binim në sy, por nuk ndaheshim nga shoqëria, Zot mos e bë.

Dil tash n’dritare, merre një lugë dhe kërsit me të n’llastrën e parmakut të dritares në shenjë proteste kundër okupatorit serb.

Ishim fëmijë, të padjallëzuar e të pasherr, motra e vëllezër dilnim në dritare (që ishte përballë dritareve të stacionit policor) dhe protestonim qysh kërkonte nga ne Kryetari Ibrahim Rugova.

Disa herë na ka shkuar mendja që në moment pa rrugëdalje, do të gjuheshim familjarisht nga balkoni i katit të katërt të banesës ku jetonim.

Jep pare Kimete, nëse do të marrësh dëftesen e shkollës. Po, patjetër.

Odiseada për ta paguar haraçin e Bujar Bukoshit muaj për muaj ka qenë dramatike, si tragjedia.
Si sot, s’merreshin vesh shqiptarët.
Hajrullah Gorani thoshte ‘lëshoni punën’, LDK thoshte paguajeni Republikën!

Ka vdekur njeriu.
Kam qajt, vet e dyta (me një shok të tij) sa loti u derdh për Ibrahim Rugovën.
Më kujtohet edhe vendi ku kemi qajt. Te Ariu, te restoranti i PDK-së, kemi qajt për të. Ne qanim pse Ibrahim
Rugova nuk e priti ditën që Kosova të bëhet shtet.

Dashuria e shumë njerëzve ndaj Ibrahim Rugovës ka qenë patologjike.
Njerëzit e LDK-së e patën dhënë Lirinë për Ibrahim Rugovën, ose Ibrahim Rugovën e konsideronin vet Lirinë për të cilën s’donin të luftonin, sepse e kishin para syve, me trup e me shpirt.

Ata nuk e kuptonin se ishin të fiksuar, të sëmurë nga dashuria, sepse Liria nuk është Ibrahim Rugova, sepse edhe ai, sikurse ne, kishte nevojë për liri dhe e kërkonte lirinë.
‘Çka na duhet Liria, kur e kemi Ibrahim Rugovën’!

Ibrahim Rugova mund të quhet simbol i paqes, por jo simbol i lirisë.
Se, përndryshe nuk do të kishte ndodhur lufta.
Disa ldk-istë të obsesionuar duhet të shërohen për ta kuptuar se Lufta në Kosovë nuk ka ndodhur për inat të LDK-së dhe Ibrahim Rugovës.

Pavarësisht që pushteti i LDK-së ka vazhduar pas luftës, sikur jeta kuantitative e plakut 100 vjeçar, apo e atij që lëngon në komë, ama fama dhe dehja me dashuri ndaj liderit (si çdo gjë që ka fund) ka marrë fund ditën kur njerëzit u bindën se rezistenca paqësore dukej si pantomimë dhe shfaqje teatrale që askush më nuk e merrte seriozisht.

Rezistenca paqësore ka vlera historike, por na ka çuar në luftë.
Sepse, ‘paqe pa liri nuk ka’.

LDK u idhnua me UÇK pse ja prishi qetësinë.
PDK u idhnua me LDK-në pse pas luftës ia mori pushtetin, sepse shqiptarët e japin lirinë për paqe.
Grupi Koha u idhnua me të gjithë, sepse PDK dhe LDK ua prishën ëndrrën për ta bërë Vetonin Kryeministër.
A ju kujtohet ai titulli i Joschka Fischer menjëherë pas luftës në ‘Koha ditore’: ‘Pritet që Surroi ta drejtoj vendin, si Kryeministër’!

P.S. Ky shkrim është një lloj reagimi, për ata njerëz të LDK-së që idhnohen dhe shajnë sa herë flas mirë për UÇK-në, e cila ma ka shpëtuar jetën mua, familjes sime dhe shumë e shumë familjeve tjera, në malet e Qyqavicës dhe në Oshlan, më 1999.

Skruan:Kimete Berisha

kb