Shqiptarët e Preshevës nuk marrin pjesë në zgjedhjet presidenciale të Serbisë

Në zgjedhjet e sotme presidenciale shqiptarët e Luginës së Preshevës nuk do të marrin pjesë. Përfaqësuesit institucional dhe ata të shoqërisë civile kanë thënë se asnjëri nga kandidatët për president nuk ka shprehur interes për t’u ballafaquar me problemet e shqiptarëve.Shqiptarët e kësaj zone tradicionalisht nuk kanë marrë pjesë në zgjedhjet për president e as nuk kanë pasur ndonjëherë kandidatin e tyre.

Përfaqësuesit institucional të shqiptarëve në Luginën e Preshevës, janë shprehur kundër pjesëmarrjes së shqiptarëve në zgjedhjet presidenciale të së dielës në Serbi. Ndër arsyet kryesore është  fakti i mosinteresimit të asnjërit nga kandidatët për president për pozitën e shqiptarëve, ndërkohë që historikisht shqiptarët e Luginës i kanë bojkotuar këto zgjedhje.

“Shqiptarët nuk kanë motiv dhe asnjë arsye që të dalin të votojnë për një president, sepse presidenti nuk është marrë me zgjedhjen e  problemeve të shqiptarëve. Qëllimi i tyre ka qenë pastrimi etnik i shqiptarve “, tha kryetar i KNSH-së, Jonuz Musliu.

Në komunat me shumicë shqiptare të Luginës, nuk duket të ketë atmosferë zgjedhjesh, fushatë zgjedhore nuk ka zhvilluar asnjëri nga kandidatët për president.

“Ne në asnjë rast nuk kemi marrë  pjesë në zgjedhjet presidenciale duke pas parasysh faktin se asnjë prej kandidatëve për president nuk ka treguar interesim as për votën tonë, as për pozitën tonë politike”, tha kryetar i Komunës në Bujanoc, Shaip Kamberi.

Ndërkaq, Kryetar i Kuvendit në Presheve, Sami Salihu tha se mos shtrirja e fushatës për zgjedhjen e presidentit në Luginën e Preshevës është treguesi më i qartë se cili është vullneti  i tyre për tu marrë me shqiptarët e Luginës së Preshevës. “Ne si përfaqësues institucional jemi gjithmonë për të përkrahur vullnetin e popullit dhe vullneti i popullit dihet që tashme nuk janë për zgjedhjen e presidentit”.

Përfaqësues të shoqërisë civile, mendojnë se mosinteresimi i shqiptarëve për zgjedhjet presdineciale është i arsyeshëm.

Shqiptarët e kësaj zone tradicionalisht nuk kanë marrë pjesë në zgjedhjet për president e as nuk kanë pas ndonjëherë kandidatin e tyre.  Zgjedhjet presidenciale në Serbi, pritet të mbahen të dielën më dy prill.(RTK)