Sot bëhen 17 vjet nga rënia e luftëtarit dhe heroit Agim Ramadani, i cili gjatë luftës u dëshmua si strateg i lartë dhe udhëheqës i dashur për ushtarët.

Ishte njëri ndër hartuesit e planit për thyerjen e kufirit shqiptaro-shqiptar, gjë të cilën edhe e bëri bashkë me shokët e vet.

Më poshtë po ua sjellim një historik të shkurtër rreth Betejës së Koshares dhe rënies së heroit Agim Ramadani.

M’u shtershin sytë nëse pushoj; lirinë tënde me ëndërrue; mallkue qoftë gjaku im, nëse m’vrasin pa luftue”. Këto janë vargjet e poezisë “Liria”, që Agim Ramadani pat shkruar në ditët e tij të fundit, para se të vdiste.

Palët në këtë betejë kanë qenë të pabarabarta, por UÇK-ja ka pasur përparësi strategjike, pasi beteja është zhvilluar në kufirin me Shqipërinë. Pikërisht për këtë arsye, ajo njihet edhe si ngjarja që theu kufirin shqiptaro-shqiptar.

Pas një beteje të ashpër, UÇK-ja arriti të krijojë avantazhe dhe të dëbojë e të zmbrapsë ushtrinë jugosllave. Për 70 ditë radhazi në luftimet e përditshme, Brigada 131 “Agim Ramadani”, nga radhët e veta kishte humbur 140 luftëtarë.

Beteja ka thyer kufirin Kosovë-Shqipëri, gjë që sipas ish-luftëtarëve ishte një korridor i rëndësishëm për Ushtrinë Çlirimtare të Kosovës.

Agim Ramadani lindi në fshatin Zhegër të komunës së Gjilanit, më 3 maj të vitit 1963. Shkollimin fillor e kreu në vendlindje, të mesmen shkollën teknike në Gjilan në vitin 1980, ndërsa Akademinë ushtarake-drejtimi i komunikacionit në Zagreb të Kroacisë.

Me poezi dhe pikturë është marrë që nga shkollimi i mesëm. Përderisa poezitë e tij, sa ishte gjallë i mbetën të shpërndara nëpër revista të ndryshme e në dorëshkrim, si piktor organizoi ekspozita kolektive e personale në Kroaci, ku punoi si ushtarak e në Zvicër, ku jetoj si emigrant politik, meqë me fillimin e luftës në Kroaci, ai braktisi ish Armatën Jugosllave ku punonte si oficer. Në vitin 1998 pranohet anëtarë nderi në Akademinë Evropiane të Arteve.

Ndonëse kishte të rregulluar statusin e emigrantit, Agim Ramadani në vitin 1998, iu përgjigj thirrjes së atdheut dhe u inkuadrua në radhët e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, duke lënë në Zvicër tre fëmijë dhe gruan.

Gjatë luftës u dëshmua si strateg i lartë dhe udhëheqës i dashur për ushtarët. Ishte njëri ndër hartuesit e planit për thyerjen e kufirit shqiptaro-shqiptar, gjë të cilën edhe e bëri bashkë me shokët e vet. Ishte i pari që shkuli gurin-piramidën-kufitare në Koshare. Pas thyerjes së këtij kufiri, në pjesën e Kosovës, tek vendi i quajtur Rrasa e Zogut, ai ra heroikisht- duke mos vdekur kurrë. Njihet me emrin konspirativ-Katana.

Llogaritet si një nga heronjtë më të njohur të historisë së re shqiptare. Në Gjilan para Teatrit Kombëtar i është ngritur një shtatore, në të cilën janë komponuar të gjitha elementet artistike dhe luftarake të Agim Ramadanit-Katanës. Është përfaqësuar në disa leksikone dhe antologji të shkrimtarëve shqiptarë, të botuara pas vitit 2000. Agimi la pas vetes tre pasardhës, djemtë Jeto nin dhe Edonin, si dhe vajzën Laurinën./KosovaPress/

ag ra