Zëvendëskryeministri serb, njëherësh dhe ministër i Jashtëm, Ivica Daçiç, do të vizitojë sot Kosovën. Në njoftimin e Ministrisë së Jashtme Serbe, theksohet se qëllimi i vizitës së shefit të diplomacisë serbe është për të parë “trashëgiminë kulturore serbe në Kosovë e Metohi”.

“Daçiç do të vizitojë zonat e trashëgimisë kulturore në territorin e Kosovës dhe Metohisë të cilat janë të regjistruara në Listën e trashëgimisë kulturore të UNESCO-s, patrikanën e Pejës, kishën e Levishës [në Prizren] dhe manastirin e Graçanicës”, thuhet në njoftimin e MPJ-së së Serbisë. Vizitën e tij në Kosovë, Daçiç do ta shfrytëzojë edhe për të biseduar me klerikët serbë, ku besohet se edhe do të përçojë mesazhe politike në prag të zgjedhjeve parlamentare në Serbi.