Në Austri, qeveria i ka dhënë dritën jeshile nisjes së projektit për ripërshtatjen e shtëpisë së lindjes së liderit nazist, Adolf Hitler, në një rajon policie. Projekti do kushtojë 5 milionë euro dhe pritet të përfundojë në vitin 2023.

Shtëpia e lindjes e ish-liderit nazist, Adolf Hitler, pritet të kthehet në një rajon policie brenda vitit 2023.

Plani për rikonceptimin e ndërtesës u prezantua nga qeveria e Austrisë pas një gare ndërkombëtare me arkitektët më të njohur të Bashkimit Europian.

Banesa ndodhet në qytetin të vogël të Braunau am Init, në kufi me Gjermaninë.

Ajo zotërohet prej vitesh nga shteti austriak, ndërsa është përdorur më herët si qendër për personat me pamundësi fizike, është kërkuar të shembet ose të transformohet në një memorial për viktimat e nazizmit.

Sipas ministrit të Brendshëm të Austrisë dhe zyrtarit qeveritar për ekonominë, shfrytëzimi i ndërtesës për policinë lokale është vendimi i duhur.

“U vendos që ta mbyllim shtëpinë e lindjes të një diktatori dhe autori masakrash dhe të hapim një kapitull të ri në historinë e republikës tonë, duke e rikonceptuar atë për të ardhmen.”

“Kur diskuton mënyrat se si neutralizohet impakti i një godine të tillë, merr parasysh edhe faktin se ekstremistët e krahut të djathtë dhe neonazistët tani do e mendojnë dy herë para se të vijnë në Braunau për të shfaqur ideologjitë dhe protestat e tyre.”

Fati i godinës është debatuar prej dekadash, pasi kërkohej të shmangej kthimi i saj në një vend pelegrinazhi për turistët dhe dashamirësit e Hitlerit.

Ndërtimi daton nga shekulli i 17-të ndërsa në një nga apartamentet, më 20 prill të vitit 1889, do të vinte në jetë ish-udhëheqësi gjerman.

Hitleri do të rikthehej aty përsëri më 1938-ën kur nazistët do të aneksonin Austrinë.

Nën regjimin e tij 12-vjeçar, Gjermania naziste ndërmori politika shfarosëse për hebrenjtë, duke vrarë rreth gjashtë milionë prej tyre dhe dhjetëra milionë të tjerë gjatë Luftës së Dytë Botërore.