Mesa duket Montana do të jetë shteti i parë amerikan i cili do të ndalojë plotësisht përdorimin e platformës TikTok.

Ligjvënësit e Montanës dhanë miratimin përfundimtar për një projekt-ligj që ndalon funksionimin e aplikacionit TikTok në këtë shtet, një lëvizje që do të përballet me sfida ligjore.

Kjo gjithashtu do të shërbejë si një terren testimi për Amerikën pa TikTok që shumë ligjvënës kombëtarë kanë parashikuar.

“Ne do të vazhdojmë të luftojmë për përdoruesit dhe krijuesit e TikTok në Montana, jetesa e të cilëve dhe të drejtat e Amendamentit të Parë kërcënohen nga ky tejkalim skandaloz i qeverisë,” tha në një deklaratë zëdhënësi i TikTok, Brooke Oberwetter.

Prokurori i Përgjithshëm i Montanës, Austin Knudsen u kishte kërkuar ligjvënësve të shtetit që ta miratonin projektligjin.

TikTok, i cili është në pronësi të kompanisë kineze i teknologjisë ByteDance, ka qenë kohët e fundit nën një vëzhgim intensiv . Kjo ka ardhur si një shqetësim se Tiktok mund t’i dorëzojë të dhënat e përdoruesve qeverisë kineze ose të shtyjë propagandën dhe dezinformimin pro-Pekinit në platformë.

Në Shtetet e Bashkuara, drejtuesit e FBI-së, CIA-s dhe ligjvënës të shumtë të të dyja palëve kanë ngritur këto shqetësime, por nuk kanë paraqitur asnjë provë për të vërtetuar se ka ndodhur.