Paratë për ngjyrën me të cilën po i spërkasin ndërtesat qeveritare, aktivistët e “Revolucionit të Larmë” thonë se i japin nga xhepi i tyre. Por ata marrin edhe donacione, meqë gjatë protestave qytetarët mund të dhurojnë para për “Revolucionin e Larmë”. Aktivisti Demijan Haxhi – Angellkovski thotë se nuk i financon asnjë parti politike, por qytetarët të cilët dhurojnë vazhdimisht. Donacionet nuk janë vetëm për blerjen e ngjyrës, por edhe për pagesën e dënimeve të cilat aktivistët e “Revolucionit të larmë” thonë se i marrin çdo ditë.

“Kemi ndihmë të madhe edhe nga vetë qytetarët të cilët dhurojnë mjete. Por, meritë të madhe kanë edhe familjet tona të cilat na ndihmojnë financiarisht. Për një pjesë të madhe të punëve paguajmë nga xhepi jonë. Këtë e bëjmë pa egoizëm, jo për neve, por për të gjithë qytetarët e Maqedonisë dhe për zgjidhjen e kësaj krize politike”, u shpreh Demijan Haxhi- Angellovski, Aktivist i Revolucionit të Larmë.

Aktivistët e Revolucionit të Larmë shfrytëzojnë ngjyrë akrili. Ndërkaq, me ndihmën e çatallëve dhe pompave, ata po i ngjyrosin institucionet shtetërore dhe objektet nga Shkupi 2014. TV21 vizitoi disa shitore që shet ngjyra, por pronarët e  tyre nuk deshën të flasin para kamerës. Por, ata thanë se është rritur kërkesa për ngjyrë. Thonë se jo vetëm për Revolucionin e Larmë, por duke pasur parasysh edhe faktin që është verë, shumë familje kanë vendosur t’i lyejnë shtëpitë.

 

Përveç metodave të deritashme për grumbullimin e fondeve të Revolucionit të Larmë, pritet që shumë shpejt protestuesit edhe të nxjerrin në shitje disa relikte në ankand publik. Në shitje pritet të dalin panotë e para të revolucionarëve, dhe disa vepra tjera që i konsiderojnë si “artistike”. Në anën tjetër, protestuesit thonë se do të hapin edhe një llogari për të siguruar mbrojtjes juridike të aktivistëve që po gjobiten në gjykata, për prishje të rendit dhe qetësisë publike./tv21

https://youtu.be/K8ZFtyf7ypc