Ministria e arsimit nuk e ka parashikuar Universitetin “Nënë Tereza” në kuotat e caktuara për studentët e viteve të para në vitin akademik 2016 / 2017. Në listën e Universiteteve publike të shpallur sot nuk figuron “Nënë Tereza” por nga Ministria e Arsimit dhe Shkencës thonë se kuotat për të njëjtën do të miratohen në seancën e ardhshme të Qeverisë. Pavarësisht se lokacionet e parapara për zhvillimin e procedurës arsimore në Universitetin “Nënë Tereza” janë në gjendjen e tyre të mëparshme, ministri i arsimit Pishtar Lutfiu, pretendon se regjistrimi i studentëve të ri, do të bëhet po në ato hapësira.

“Duke pasur parasysh faktin që ky është një universiteti i ri, Komisionet amë i kanë shqyrtuar kuotat, i kanë përpunuar dhe kanë rënë në një konstatim dhe në seancën e radhës të Qeverisë do të kalojnë edhe kuotat e universitetit “Nënë Tereza” është formuar edhe një grup punues për të marrë përsipër të gjithë lokacionin dhe besoj që së shpejti do të rregullohen zyrat dhe studentët do të mund të drejtohen aty për regjistrimin në vitin e parë”, deklaroi ministri i arsimit Pishtar Lutfiu.

Ndërkohë në listën e Universiteteve publike mund të shihet që këto drejtime nuk janë më pjesë e Universitetit të Tetovës. Të kontaktuar nga Alsat, nga UT-ja nuk potencuan nëse edhe këtë vit do të hapin konkursin për studentët e ri për fakultetet që tashmë u janë marrë por thanë që ditët në vazhdim do të merret një vendim. Lutfiu nga ana tjetër thotë se kjo çështje është e definuar me ligj dhe nuk guxon të ketë dilema.

“Për mos-regjistrimin e studentëve në vitin e parë të drejtimeve që i përmendët, ato janë të definuara me ligj dhe është ligji që përcakton dhe jo nëse don universiteti apo ministria”, tha Lutfiu.

Për “Nënë Terezën”, gjithsej janë parashikuar 1220 studentë prej të cilëve 760 me kuotë shtetërore.

Numri i parashikuar i studentëve në “Nënë Tereza”:
Fakulteti për shkencat e informatikës 250 studentë
Fakulteti për shkenca teknologjike 160 studentë
Fakulteti i shkencave teknike 250 studentë
Fakulteti i ndërtimtarisë dhe arkitekturës 240 studentë
Fakulteti i shkencave sociale 320 studentë

Gjithsej 420 studentë, janë parashikuar edhe për dy fakultetet e reja në Universitetin e Tetovës, atë të Bujqësisë dhe Bioteknologjisë dhe Fakultetin e Pedagogjisë.