Shteti të ndërmarrë masa më të shpejta për të zbutur rritjen e madhe të çmimeve. Afaristët vlerësojnë se mund të ngrihen çmimet e karburanteve për së paku një muaj siç veproi Kroacia apo edhe të ngrihen çmimet e artikujve themelor ushqimor për 30 apo 60 ditë. Vlerësohet se mund të intervenohet me heqjen dorë nga akciza, TVSH, apo edhe të intervenohet nga rezervat e shtetit. Vlerësohet se inflacioni nuk do të rritet më shumë se 3 për qind, dhe vjen kryesisht si rrjedhojë e mallrave nga importi si ushqimi dhe energjia. Nga Qeveria thonë se përderisa po zgjat procesi zgjedhor, nuk lejohen masa të ndryshme siç janë intervenimet nga arka e shtetit, ndërsa masa të tilla në rast nevoje do të miratohen pas përfundimit të zgjedhjeve lokale apo pas një nëntorit. Pritet që të zbutet tronditja e paralajmëruar në sektorin energjetik me tenderin që do të sigurojë prodhim të mjaftueshëm të energjisë elektrike përgjatë dimrit, ku të enjten do të shpallet fituesi nga ofertat e më shumë kompanive nga rajoni, prej të cilave do të blihet qymyr për nevojat e kapaciteteve kryesore të prodhimit të rrymës në vend, kryesisht nga Termocentrali i Manastirit, dhe pjesërisht nga Termocentrali i Osllomesë.

ÇMIMI I NAFTËS RRIT EDHE ÇMIMET TJERA

Nga Shoqata e Transportuesve thonë se rritja e çmimeve të karburanteve të naftës do të ndikojë edhe në harxhimet e transportuesve. Sipas Biljana Muratovska nga shoqata e transportuesve MakamTrans, çdo shtrenjtim i karburanteve sjell edhe më pak të holla për të ardhurat e vozitësve, apo për blerjen e mjeteve të reja transportuese. Problem shtesë për kompanitë e transportit është edhe oferta e madhe e transportit me kamionë nga njëra anë, dhe kërkesa që akoma nuk po kthehet në normalitetin e kohës para pandemisë, andaj edhe çmimet nuk mund të lëvizin. Një pjesë e taksistëve në qytetin e Shkupit në ndërkohë kanë bërë të ditur se nuk do të ketë shtrenjtim të transportit me taksi, por pritet që të anulohen lirimet e ndryshme për pasagjerët. Nga Ndërmarrja e Transportit Urban në Shkup, thonë se nuk pritet shtrenjtimi i shërbimeve të tyre për pasagjerët.

Kohë më parë, ministri i Ekonomisë, Kreshnik Bekteshi theksoi se ekzistojnë më shumë mekanizma në rast të rritjes tejet të madhe të çmimeve siç janë intervenimi nga rezervat shtetërore, apo ngrirja e çmimeve të caktuara në raport me importin e lëndëve të para dhe repromaterialeve si dhe prodhimeve që prodhohen dhe shiten në tregun vendor, anulimin nga pagesa e kompensimeve të ndryshme si doganat, intervenimet nga arka e shtetit etj. Në ndërkohë analisti ekonomik Bllazho Arizanov, thotë se nuk duhet që rritja e madhe e çmimeve të barazohet me inflacionin. Në tregjet botërore qysh në pranverë u paraqit një panik i rrejshëm rreth inflacionit të mundshëm, për shkak të shtrenjtimeve ciklike të çmimeve të lëndëve të para kryesore industriale. Ai shton se në bursat vërehet tek të gjitha lëndët kryesore një rritje me një lak të lartë të çmimeve që arriti kulmin në fillim të muajit maj të këtij viti e përcjellë me ulje tejet të madhe të të njëjtave në muajin qershor të këtij viti, që sipas tij nuk lënë hapësirë që të frikësohemi nga inflacioni. Sipas tij, edhe shtrenjtimet e fundit të energjenseve si qymyri, gazi natyror apo nafta udhëzojnë se bëhet fjalë për inflacion. Mirëpo nafta e papërpunuar dhe gazi natyror bëjnë pjesë në treguesit me vonesë, andaj edhe bazuar nga ngjarjet në të kaluarën mund të thuhet se pas një rritje të tillë të energjenseve mund të pritet së shpejti që edhe ato të ndjekin uljen e çmimeve të lëndëve të para industriale që ndodhi para pesë muajsh.

“Rritja e tanishme e energjenseve nuk ka një bazament të fuqishëm, nuk bazohet në rritjen e qëndrueshme të kërkesës agregate dhe rritjen ekonomike, andaj edhe mund të presim korrigjim të saj në vjeshtë. Pra, nuk duhet nxituar mesa për kontrollin e inflacionit që edhe nuk e kemi përmes masave si ngrirja e çmimeve”, konstaton Arizanov.

NDËRPRERJET NË ZINXHIRËT GLOBAL TË FURNIZIMIT

Në ndërkohë, Fondi Monetar Ndërkombëtar pret që inflacioni në Maqedoninë e Veriut në vitin 2021 të arrijë 3.1 për qind dhe në vitin 2022 , të zvogëlohet në 2.2 për qind. Në takimin e fundit të guvernatores së Bankës Popullore Anita Angellovska Bezhovska me kreun e Misionit të FMN-së, u theksua se lëvizjet aktuale të çmimeve në Maqedoninë e Veriut janë në përputhje me zhvillimet globale. Nxitësi më i madh i rritjes së fundit të inflacionit janë çmimet globale të energjisë, veçanërisht të naftës dhe gazit. Në të njëjtën kohë, ndërprerjet në zinxhirët global të furnizimit dhe mbingarkesa po bëjnë presion mbi çmimet e mallrave të qëndrueshëm të konsumit, veçanërisht pas rimëkëmbjes së shpejtë të kërkesës. Efekti i çmimeve më të larta të energjisë dhe mospërputhja midis ofertës dhe kërkesës pritet të mbaroj në vitin 2022. Për më tepër, asnjë nga këta faktorë nuk do të reagojë ndaj ndryshimeve në politikën monetare. Megjithatë, bankat qendrore, përfshirë edhe Bankën Popullore, do të duhet të monitorojnë me kujdes zhvillimet për tu siguruar se pritshmëritë më të larta të mundshme për inflacionin nuk do të shkaktojnë rritje të zgjatur të pagave.

Me politikën e lehtësuar monetare, si dhe me të gjitha vendimet dhe masat e ndërmarra që nga shpërthimi i krizës së koronës, Banka Popullore kontribuon dukshëm në mbështetjen e stabilitetit financiar dhe ekonomisë së Maqedonisë së Veriut në tërësi. Në ciklin e parashikimeve të muajit prill kemi projektuar shkallë të inflacionit prej 2.2 për qind, që pritet të ketë rritje të butë pas parashikimeve për lëvizjen e çmimeve të energjisë dhe ushqimeve në ciklin e ardhshëm të projeksioneve makroekonomike që janë në përfundim e sipër thekson guvernatorja Angellovska Bezhovska. Pra inflacioni pritet të mbetet në korniza të matura, edhe sipas parashikimeve të FMN-së. Lidhur me stabilitetin e denarit, guvernatorja thekson se strategjia optimale është strategjia e mbajtjes së kursit stabil devizor, si rrjedhojë e strukturës së ekonomisë vendore. Që të mundet të mbahet kjo strategji, rëndësi kryesore kanë rezervat e devizave, ku niveli i tyre në bazë të standardeve ndërkombëtare po mbahet në nivel solid të lartë, konstaton Angellovska Bezhovska. (koha.mk)