Paraqitja e jashtme është pasaporta e parë me të cilën prezantohemi tek të tjerët. Për këtë arsye zgjedhim të investojmë në look-un tonë dhe të dukemi të kuruar.

Por ndonjëherë gjërat nuk shkojnë ashtu siç duhet. Një ndër makthet e të gjithëve, kryesisht femrave, janë rrobat e rrudhosura. Sa herë ju ka ndodhur të ngriheni nga tavolina dhe të shihni fustanin të zhubravitur? Apo vijat dhe palat e tmerrshme pas një udhëtimi të gjatë ? Living ju fton të zbuloni disa truke shumë interesante që mund të zëvendësojnë lehtësisht hekurin e rrobave.

Piastra e flokëve
Piastra e flokëve është ideale për të hekurosur kollaret apo kanatieret. Përpara përdorimit kontrolloni me kujdes nëse kanë mbetur akoma fije flokësh apo shenja locioni në piastër. Në këtë mënyrë nuk rrezikoni të bëni pis rrobat tuaja.

Ujë dhe uthull
Kjo metodë njihet ndryshe si ’’metoda e kimistëve të rinj’’. Hidhni ujë dhe uthull në një shishe dhe më pas spruconi veshjet tuaja. Sapo keni krijuar një solucion perfekt kundër rrudhave. Më pas lërini të thahen.

Avulli i çajnikut
E dimë që tingëllon e çuditshme , por kjo metodë funksionon gjithmonë. Vini në zjarr një çajnik dhe pasi të ketë zier përdoreni si ‘’hekur’’. Lëshoni avullin e tij rreth 20 cm larg rrobave të rrudhosura.

Tharësja e flokëve
Tharësja e flokëve shërben jo vetëm për të tharë rrobat e lagura, por edhe të zhdukur vijat e besdisshme. Zgjidhni temperaturën maksimale dhe drejtojeni tek veshjet.

Peshqiri i njomë
Vini veshjen tuaj në një sipërfaqe të sheshtë dhe shtroni sipër një peshqir të njomë. Më pas ushtroni forcë më duar dhe nxirreni të thahet. Rrudhat janë zhdukur si me magji.

Kuba akulli
Vendosni rrobat në makinën tharëse. Shtoni 4-5 kuba akulli dhe ndizni pajisjen. Gjatë shkrirjes së akullit krijohet avull që eliminon natyrshëm rrudhat nga veshjet tuaja.
Provojini të gjitha këto dhe do të mbeteni të kënaqur.