Liberalizmi pretendon të jetë neutral, por në të vërtetë është antikulturë. Ai i shkëput njerëzit nga natyra, komuniteti, tradita dhe vendi. I shkëput nga koha. “Mirënjohja për të shkuarën dhe detyrimet për të ardhmen, zëvendësohen nga një ndjekje pothuaj universale për kënaqësinë e momentit”

Të gjithë bien dakord se shoqëria është në një rrugë të keqe, po cili është ekzaktësisht shkaku i kësaj të keqeje?

Disa e vënë theksin në problemet ekonomike: Përqëndrimi i njëkohshëm i pasurisë në majë dhe stanjacioni në shtresën e mesme, e ka delegjitimuar sistemin. Njerëz si unë e vënë theksin në problemet kulturore. Nëse ke 60 vite individualizëm radikal dhe meritokraci të pamëshirshme, do të përfundosh me një shoqëri të atomizuar, mosbesuese dhe të përçarë.

Por disa e vënë theksin tek intelektuali. Njerëzit që projektuan sistemin tonë liberal bënë gabime themelore, të cilët tashmë po na rikthehen. Politologu i Notre Dame Patrick Deneen bie në këtë kamp. Libri i tij i fundit “Përse dështoi liberalizmi”, është një sfidë për ata prej nesh, që duan të ringjallin rendin demokratik liberal. Do të tërheqë shumë ndjekës, mes atyre që po humbasin besimin tek i gjithë projekti.

Deneen argumenton se liberal demokracia i ka tradhëtuar premtimet e veta. Duhej të nxiste barazinë, por ka sjellë më shumë pabarazi dhe një aristokraci të re. Duhej t’u jepte njerëzve të zakonshëm kontroll mbi qeverinë, por njerëzit e zakonshëm ndihen të larguar prej qeverisë. Duhej të nxiste lirinë, por krijon një kulturë popullore të degraduar, në të cilën konsumatorët bëhen skllevër të orekseve të tyre.

Shumë të rinj ndihen të zënë në kurth, brenda një sistemi tek i cili nuk besojnë. Deneen citon një prej këtyre studentëve: “Për arsye se ne e shohim njerëzimin – dhe si pasojë, institucionet e tij – si të korruptuar dhe egoist, i vetmi person tek i cili mund të mbështetemi është vetja jonë. E vetmja mënyrë që mund të shmangim dështimin, të mos ndjehemi të lënë në baltë, dhe në fund të mos zhytemi në botën kaotike që na rrethon, është që të kemi mjetet (sigurinë financiare) për t’u mbështetur vetëm tek vetja”.

Problemi, argumenton Deneen, nisi qysh në krye të herës. Filozofitë greke dhe mesjetare vlerësuan lirinë, por ato e kuptonin që, përpara se një person të mund të ndihmonte në qeverisjen e shoqërisë, duhej që të ishte në gjendje të qeveriste vetveten. Njerëzit duhej të mësoheshin me virtytin përmes institucioneve që nuk i kishin zgjedhur – familja, feja, komuniteti, normat sociale.

Kur komunizmi dhe fashizmi dështuan në shekullin 20, ky version i liberalizmit u duk triumfues. Por ishte një fitore si ajo e Pirros, argumenton Deneen.

Liberalizmi pretendon të jetë neutral, por në të vërtetë është antikulturë. Ai i shkëput njerëzit nga natyra, komuniteti, tradita dhe vendi. I shkëput nga koha. “Mirënjohja për të shkuarën dhe detyrimet për të ardhmen, zëvendësohen nga një ndjekje pothuaj universale për kënaqësinë e momentit”.