Pas disa muajsh të spekulimeve, kompania Skoda edhe zyrtarisht ka zbuluar emrin e SUV-it të saj të madh të ardhshëm me 7 ulëse.

Udhëheqësit e kompanisë Skoda kanë zgjedhur emrin Kodiaq, për të theksuar madhësinë dhe fuqinë e këtij SUV-i i bazuar në ariun Kodiak i cili jeton në ishull pranë Alaskës, veriperëndim të Kanadasë.

SUV-i i ri çek do të ketë konkurrencë të “ashpër”, të cilën e përbëjnë SEAT Ateca dhe Volkswagen Tiguan, transmeton Koha.net. Do të jetë më i madh për dallim nga vëllezërit e tij nga Volkswagen Group, gjatësia e të cilit është 4.7 metra ndërsa Tiguan është 4.5 metra dhe Ateca 4.4 metra.

Kodiaq në interier do të ofrojë mjaft hapësirë për shtatë pasagjerë, dhe përveç se do të jetë më i gjerë, ky SUV do të ketë edhe bagazh më të madh. Kjo nuk është një surprizë, pasi që tashmë e dimë se modelet e kompanisë Skoda janë të përshtatshëm në krahasim me rivalët nga Volkswagen Group.

Në gamën e motorëve do të jenë në dispozicion motori benzinë 1.0-litër me tre cilindra e kapacitet prej 115 kuajfuqi, 1.4-litër me katër cilindra e 150 kuajfuqi, si dhe 1.8-litër ose 2.0-litër TSI me kapacitet prej 180 kuajfuqi.

Ndërsa kur është fjala për motorët dizel, në dispozicion do të jetë 1.6-litër TDI me kapacitet prej 115 kuajfuqi ose 2.0-litër TDI në version me 150 dhe 190 kuajfuqi.

Sa i përket sistemit të tërheqjes, standard do të jetë në dispozicion sistemi i tërheqjes në rrotat e para, ndërsa si opsion për zgjedhje do të jetë edhe sistemi i tërheqjes në të gjitha rrotat.

Ndërkaq sa i përket marshit, Skoda këtë model të ri do ta shesë me marshin manual me gjashtë shpejtësi ose me marshin DSG me shtatë shpejtësi.Skoda Kodiaq do të prezantohet në tetor të këtij viti në panairin e veturave që do të mbahet në Paris, ndërsa do të dalë për shitje në fillim të vitit të ardhshëm.

skoda 1kodiaq