Hapat e fundit të partive shqiptare duke iu bashkuar LSDM-së për mospjesëmarrje në komisionet komunale zgjedhore,  pastrojnë dilemat se më 5 qershor nuk mund të ketë zgjedhje të parakohshme parlamentare. Ekspertët politik në vend thonë se ky veprim i BDI-së dhe PDSH-së, nuk vjen si rezultat i gatishmërisë që këto subjekte të veprojnë për të kthyer demokracinë në vend, por për shkak të presionit të madh ndërkombëtar. Profesori universitar Nano Ruzhin madje vlerëson se BDI-ja nuk është politikisht e pjekur si në fillim të vitit 2002, kur hyri në skenën politike.

“Mendoj se bëhet fjalë për ndikimin e bashkësisë ndërkombëtare, madje edhe Ahmeti dha qëndrim se si të thotë Bashkësia Ndërkombëtare dheai do ta dëgjojë qëndrimin e tyre. Është fakt se BDI, patjetër të vendosë që të bëhet një element aktiv dhe neutral”, thotë profesori universitar Nano Ruzhin.

Gazetari Isen Saliu vlerëson se shtyrja e zgjedhjeve është sinjal i mirë dhe tregon që, për rrjedhat në Maqedoni në aspektin politik, nuk vendos më Koalicioni në pushtet VMRO-DPMNE dhe BDI, dhe se këta dy subjekte nuk janë aspak në rrjedhë me zhvillimet në vend.

“Kjo po tregon se ata nuk janë aspak në rrjedha me zhvillimet dhe se duke pasur parasysh qëndrimet që i kishin për mbajtje të zgjedhjeve fillimisht më 24 prill dhe më pas më 5 qershor,  dhe që dëshmon se rrjedhat kryesore politike këtu tani janë në monitorim të drejtpërdrejtë të bashkësisë ndërkombëtare. Padyshim që kjo është një situatë e mirë, situatë pozitive, jo vetëm, për shqiptarët, por edhe maqedonasit”, tha gazetari Isen Saliu.

Sipas gazetarit Saliu faktori ndërkombëtar duhet të jetë i kujdesshëm dhe të ketë parasysh faktin se ku ndodhin kriza politike në Maqedoni, strukturat e pakënaqura nga zhvillimet politike në Maqedoni shpesh kanë tendenca që të shkaktojnë skenarë për destabilizim që ta defokusojnë opinionin nga dështimi i tyre politik.