Këshilli i Prokurorëve Publik vazhdon të mbajë peng kërkesat e Prokurorisë Speciale Publike. Ekipi i Katica Janevas që nga 4 nëntori i vitit të kaluar, kërkon që lënda “Sopoti” të kalojë në duart e tyre, por kreu i Këshillit Petar Anevski nuk fton mbledhjen në të cilën duhet të vendoset nëse lënda do t’i takojë speciales ose jo, transmeton Alsat-M.

Këshilli i Prokurorëve Publik me 11 anëtarët sa posedon, për momentin është duke pritur ndryshimet në ekzekutiv. Jo zyrtarisht mësohet se shumica janë kundër kërkesës së Janevës ndërsa anëtarët që janë pro kërkesës së Speciales në këtë këshill, mund të mbivotohen nga kolegët e tyre. Alsat tentoi të marr qëndrimin e kreut të Këshillit Petar Anevski, por ky i fundit ishte i pakapshëm për prononcim.

Një pengesë shtesë e PSP-së për procedimin e rastit “Sopoti” përbën edhe mos miratimi i ndryshimeve në Ligjin për dëshmitarë. Nga ana tjetër seancat gjyqësore janë lënë në harresë, ndërsa së fundi është ndryshuar edhe gjykatësi i lëndës. Avokatët kishin deklaruar se janë në bashkëpunim e sipër me PSP-në dhe se procedura para hetimore mund të finalizohet vetëm pasi Specialja të marr dritën jeshile nga Këshilli i Prokurorëve Publik. Mbrojtja vazhdon të mbetet në qëndrimin se në të ardhmen nuk përjashtohet mundësia e bojkotimit të seancave gjyqësore. Kërkesën për të marr lëndën “Sopoti” Specialja e bazon në audio inicimet që i posedon si dhe duke iu referuar ligjit për Prokurorinë Speciale.