Në Gjykatën Penale për sot është caktuar seanca e parë për rastin “Sopot” prej kur ekipi i Prokurorisë Speciale Publike (PSP) në korrik e mori rastin për hetim.

Në këtë rast janë të dënuar dhjetë persona për “terrorizëm”. Prokurorja Fatime Fetai në konferencë për shtyp në maj të këtij viti deklaroi se dëshmia e dëshmitarit Ramadan Bajrami është dëshmi e detyruar. Fetai atëherë tha se Ministria e Punëve të Brendshme dhe persona zyrtar kanë kryer vepër penale torturë ndaj dëshmitarit. Ekspertiza e PSP-së ka treguar se te dëshmitari janë konfirmuar pasoja në gjendjen psikike, por veprimet e tilla janë të vjetërsuara për t’u ndjekur penalisht, ky lloj i dëshmisë ka dalë prej vitit 2008.

Megjithatë, edhe përkundër vjetërsisë së ndjekjeve të dëshmive dhe fakteve ka implikacione të drejtpërdrejta ndaj procedurës e cila zhvillohet para Gjykatës Penale, tha atëherë Fetai. Prokurorja theksoi se për këtë rast kanë hapur edhe procedurë parahetimore, por nuk kanë zbardhur raste.

Ndryshe, nga materialet e përgjuara të publikuara nga lideri i LSDM-së, Zoran Zaev, dëgjohet se si ish ministrja e MPB-së, Gordana Jankullovska dhe ish shefi i Policisë Sekrete, Sasho Mijallkov, diskutojnë për rastin në fjalë dhe thonë se të akuzuarit pafajsisht janë burgosur.

Në një bisedë tjetër telefonike dëgjohet se si deputeti dhe koordinatori i grupit parlamentar të VMRO DPMNE-së në Kuvend, Ilija Dimovski, ka kërkuar nga Gordana Jankullovska dhe prokurori Marko Zvërlevski paraburgim për bashkëqytetarët e tij në procesin gjyqësor “Sopoti”, në kundërshtim me vendimet e mëparshme të Gjykatës. Dimovski kërkoi nga Jankullovska ta detyrojë Marko Zvërlevskin dhe të caktojnë burgim, pa e respektuar gjykatën dhe prezumimin e pafajësisë.