Ministrja e Punës dhe Politikës Sociale, Milla Carovska sot do t’i dorëzojë vendimеt e para të qytetarëve të përfshirë me Ligjin për sigurim social të personave të papunë për shkak të privatizimit të ndërmarrjeve me pronësi dominuese shtetërore, përcjell Fol.

Ligji për sigurim material të punëtorëve nga firmat e falimentuara u miratua në mbledhje qeveritare në fund të korrikut të këtij viti, ndërkaq u miratua nga Kuvendi i Maqedonisë në shtator të këtij viti. Nga Ministria e Punës dhe Politikës Sociale atëherë informuan se rreth 3.000 persona të cilët do të marrin 7.596 denarë në muaj, për çka janë siguruar mjete në Buxhet, janë përfshirë me këtë vendim ligjor.

Me ligjin janë përfshirë persona të papunë të cilëve iu është ndërprerë marrëdhënia e punës në ndërmarrjet me pronësi dominuese të shtetit pas 1 janarit të vitit 1995, përfundimisht me 31 dhjetorin e vitit 2016.

Personi i papunë mund të përfitojë të drejtën nëse ka qenë së paku 15 vite në marrëdhënie pune në ndërmarrje me pronësi dominuese të shtetit, të konstatuar me M1/M2 formularë, nëse i është ndërprerë marrëdhënia e punës në ndërmarrje me pronësi dominuese të shtetit, në bazë të falimentimit, likuidimit apo tepricës teknologjike, nëse në ditën e hyrjes në fuqi të këtij ligji është në moshë prej së paku 52 vite (grua) apo 55 vjeç (burrë), nëse marrëdhënia e punës i është ndërprerë duke përfshirë edhe 31 dhjetorin e vitit 2016 dhe nëse ka realizuar të drejtën e kompensimit në të holla pas 1 janarit të vitit 1995 dhe i cili pas realizimit të së drejtës së kompensimit në të holla nuk është punësuar në kohë të pacaktuar, përkatësisht marrëdhënia e punës i është ndërprerë me vullnet dhe faj të tij.

Sipas MPPS, me miratimin e këtij Ligji Qeveria e RM-së u ka dalë në ndihmë kërkesave shumëvjeçare të kësaj kategorie të qytetarëve dhe se me të jepet mundësia për sigurim material të një numri më të madh të punëtorëve nga firmat e falimentuara. /Fol/