Që shërbimet tona të jenë efikase në zbulimin e krimit të organizuar dhe kontrabandimin e emigrantëve, më e rëndësishme është shpejtësia dhe këmbimi i pandërprerë i informacioneve, tha ministri i Punëve të Brendshme, Oliver Spasovski, në fjalimin e tij në forumin ministror të BE-së dhe Ballkanit Perëndimor për drejtësi dhe punë të brendshme që mbahet në Sofje, përcjell Fol.

Ai theksoi se ekzistojnë instrumente juridike ndërkombëtare me të cilat shtetet obligohen për bashkëpunim, pjesëmarrje në hetime të përbashkëta dhe këmbime të informacioneve.

“Me fjalë tjera, bashkëpunimi jonë është i rregulluar në mënyrë juridike. Ajo që duhet të bëjmë është që entuziazmin tonë ta drejtojmë në bashkëpunim policor në baza ditore, jo vetëm në nivel rajonal, por edhe me vendet të cilat janë destinacion i fundit i emigrantëve”, tha Spasovski.

Ai gjithashtu potencoi se kriminelët vazhdimisht e ndryshojnë mënyrën e veprimit dhe se format e reja të kontrabandimit nuk përfshijnë kontrabandimin e vetëm të emigrantëve.

Në forumin ministror të BE-së dhe të Ballkanit Perëndimor i cili po mbahet në Sofje marrin pjesë ministrat e drejtësisë dhe të punëve të brendshme të Estonisë, Bullgarisë dhe Austrisë, të cilët e përfaqësojnë Treshen e Kryesimit me Këshillin e BE-së, së bashku me KE. /Fol/