Skandali me përgjimet dhe ndodhitë e 27 prillit në Kuvend kanë rrënuar besimin në Policinë e vendit.

Ky është konstatimi i njeriut të parë të MPB-së, Oliver Spavovskit, i cili në Konferencën e ministrave të procesit të Bërdos tha se reformat në sistemin e sigurisë janë emergjente dhe të domosdoshme për ndërtimin e një shoqërie të shëndoshë, të çliruar nga krimi dhe korrupsioni.

“Kur jemi te reformat, dua të përmend se RM ka filluar reforma serioze në punën e administratës nacionale, para së gjithash në sektorin e mbrojtjes. Përkatësisht, në disa vitet e fundit, besimi i qytetarëve në Policinë shënoi rënie drastike, para së gjithash për dy ngjarje kritike, skandali me përgjimet që Drejtoria për Siguri dhe Kundërzbulim u kishte bërë mbi 20.000 njerëzve dhe ngjarjet e 27 prillit kur një grup i madh demonstruesish u futën në Kuvendin e RM-së”,- deklaroi ministri i Punëve të Brendshme, Oliver Spavovski.

Në konferencë, Spasovski shprehu mbështetje dhe gatishmëri për të zbatuar konceptin për menaxhim të integruar të sigurisë së brendshme. Mekanizmi i menaxhimit të integruar të sigurisë së brendshme siguron sinergjinë e duhur mes nismave të ndryshme rajonale, duke siguruar qëndrueshmëri, pronësi rajonale dhe një qasje gjithëpërfshirëse në trajtimin e të gjitha administratave kombëtare, por edhe të të gjitha kornizave rajonale dhe instrumenteve ekzistuese.

Ministri i Punëve të Brendshme, Oliver Spasovski, merr pjesë në Konferencën e ministrave të vendeve, të cilat janë pjesë e procesit Bërdo, për vendosjen e sistemit të menaxhimit të integruar me siguri kufitare.

Në margjinat e konferencës, Spasovski realizoi edhe takim dypalësh me ministren e Punëve të Brendshme të Republikës së Sllovenisë, Vesna Gjorkosh – Zhnidar dhe ministrin e Punëve të Brendshme të Malit të Zi, Mevludin Nuhoxhiq, ku është biseduar për vazhdimin e bashkëpunimit dhe projekteve të përbashkëta të policive të rajonit.