Gjatë kësaj jave pritet të bëhet edhe konstituimi i këshillit të komunës së Strugës, dhe më pas të fillojë edhe ndarja e posteve nga ana e kryetarit të Strugës Ramiz Merko.

Në këtë komunë ka shumë të ngjarë që LSDM të përfitojë më shumë poste si rezultat i mbështetjes që i ka dhënë kandidatit të BDI-së. Burime partiake nga partia e Zaevit për Alsat M thonë se si rezultat i mbështetjes publike që ai dhanë Merkos në raundin e dytë, do kërkojnë post presidencial në këshillin komunal, sekretar komune, drejtor të ndërmarrjeve publike, si edhe disa punësime transmeton Gazeta Express. Koalicioni me BDI-në do të vazhdojë të funksionojë siç është edhe koalicioni në nivel qendror. Do të punojmë në zbatimin e programit të përbashkët që do të përfshijë edhe fushatën parazgjedhore të LSDM-së- tha Nikolina Velkoska – bartëse e grupit të LSDM-së. Por, në konstituimin e këshillit rol kryesor do të kenë këshilltarët e VMRO-DPMNE, të cilët janë faktor kryesor në përbërjen e re. BDI dhe LSDM gjithsej kanë 13 këshilltar, ndërsa ASH dhe BESA, kanë 10 këshilltarë. Katër këshilltarët e VMRO-DPMNE do të përcaktojnë se cila parti do të drejtojë këshillin në katër vitet e ardhshme.