Është regjistruar zyrtarisht Universiteti “Nënë Tereza” për të cilin, edhe në regjistrin qendror është shënuar adresa e objektit të Universitetit të Evropës Juglindore në Shkup. Adresa është zyrtarizuar edhe përkundër faktit se nga Ministria e Arsimit u njoftua që rektorati i UNT-së do të vendoset në ndërtesën e sindikatave kurse vetëm leksionet, do të realizohen në UEJL. Studentët e Universitetit të Evropës Juglindore, nga ana tjetër, shprehin pakënaqësitë për ndarjen e hapësirave të objektit të tyre me studentët e Universitetit të ri “Nënë Tereza”. Kështu peticioni elektronik nga parlamenti studentor i UEJL-së kundër shkrirjes së mundshme të dy universiteteve, tani mat pulsin e studentëve edhe sa i takon shfrytëzimin e hapësirave të UEJL-së nga UNT-ja. Duke qenë vetëm pak orë në qarkullim, komentet kryesisht janë negative. Alsat për të disatën herë më radhë provoi të marrë një qëndrim nga kreu i bordit të UEJL-së Denis Farrington, por pa sukses. Farrington është edhe anëtar i Komisionit Amë në universitetin e ri “Nënë Tereza”.

Nga ana tjetër, profesorët dhe akademikët në 49 vjetorin e ekzistimit të Akademisë së Shkencave dhe Arteve të Maqedonisë, vazhdojnë të kritikojnë hapjen e universiteteve të reja, pa parapërgatitjen e duhur, pa analizimin e nevojave të tregut dhe pa kushte cilësore.
“Kjo del jashtë një racionaliteti. Shteti është ai që duhet të sigurojë ato kushte që supozohet se janë elementare për një arsimim cilësor. Kurse themelimi i më shumë universiteteve jo që nuk sjellë cilësi po e shkatërron edhe atë pak cilësi që në njëfarë formë e kemi krijuar”, tha Ilija Acevski, profesor.

“Nga ASHAM nuk është kërkuar mendim dhe kjo është një praktikë e keqe. Duhet patjetër të ishte kërkuar mendim për shkak të obligimit ligjor, përderisa është e paraparë me ligj. Gjatë çdo projekti MASH është e obliguar të drejtohet te ne dhe të kërkojë mendim. Një mendim i tillë nuk është kërkuar . Çdo iniciativë për themelimin e një institucioni publik të arsimit të lartë duhet të shoqërohet me një projekt ose studim serioz, kuptohet në përbërjen e të cilit do të marrin pjesë edhe njerëzit kompetent të arsimit dhe shkencës dhe e dyta që është obligim ligjor por nuk zbatohet”, u shpreh Vllado Kambovski, akademik.

UNT që në fillimin e punës ballafaqohet me disa probleme. Viti akademik në këtë universitet akoma nuk ka nisur, kurse studentët e viteve të parë do të ndajnë vetëm dy klasa, në objektin e UEJL-së të cilat do të mund t’i shfrytëzojnë vetëm pas orës 4 të pasdites. /Alsat-m