Deklarata e liderit të LSDM-së, Zoran Zaev se partitë shqiptare BDI dhe PDSH pas zgjedhjeve nuk do të jenë më përfaqësueset e vetme të shqiptarëve, kanë rikthyer debatet e vitit 2006 se cilat parti duhet të formojnë qeverinë e re. Deklarata e tillë e kreut të opozitës, sipas BDI-së përbën përpjekje për të rrënuar parimin e vendosur pas 2008 që shqiptarët në qeveri të përfaqësohen nga partitë fituese shqiptare dhe maqedonase.

Por, njohësit e çështjeve politike thonë se bazuar në ciklet e fundit zgjedhore edhe partitë politike shqiptare nuk gëzojnë legjitimitetin e plotë, për t’u thirrur në demagogjinë se përfaqësojnë shqiptarët. Sipas tyre, pjesëmarrja e vogël në votime si dhe keqpërdorimet e deritanishme të proceseve zgjedhore, dëshmojnë të kundërtën.

“Partitë politike shqiptarë mund të flasin pakë sa i përket legjitimitetit dhe votave të tyre. Ka disa arsye për këtë, njëra ndër to është se numri shumë i vogël i qytetarëve janë përgjigjur dhe kanë dalë në zgjedhje, e dyta vjedhjet e zgjedhjeve dhe akuzat e ndërsjella  mes dy partive shqiptare të cilat vazhdimisht e akuzojnë njëra tjetrën për zgjedhje, e treta numri i vogël i diasporës që i është përgjigjur thirrjes për votim dhe çështja tjetër shumë me rëndësi është se sa partitë shqiptare mund të flasin për legjitimitet, përderisa ne kemi një Prokurori Speciale e cila po i heton këto raste”, theksoi Arsim Sinani, Analist.

Ndërkohë, Xhelal Neziri thotë se mazhoranca aktuale do të provojë të shkojë me modelin fituesi me fituesin, por nëse vota shqiptare materializohet në ndonjë parti tjetër, atëherë partitë shqiptare nuk mund të thirren në ideologjinë se përfaqësojnë shqiptarët.

“Do të insistohet përsëri në parimin që fituesi të shkon me fituesin. Nëse kemi një ri-formatim të partive politike, duke u bazuar në ideologjitë politike dhe jo në ato etnike, atëherë me siguri që humbet logjika që fituesi i një etnie të bëj koalicion me fituesin e një etnie tjetër, pasi partitë nuk do të definohen mbi baza etnike. Partitë politike nëse kanë oferta për çdo qytetarë, me të gjitha dallimet, mendoj se nuk do të ketë rrezik për votuesit shqiptar. Nëse një parti politike me koncept qytetar, do të ngërthente të gjitha interesat e shqiptarëve, siç është gjuha dhe buxheti, atëherë vota e shqiptarëve do të materializohet në vendin e duhur”, theksoi Xhelal Neziri, Analist.

Ditë më parë, lideri i LSDM-së Zoran Zaev theksoi nevojën e përfshirjes së shqiptarëve në listat për deputet të partisë së tij. Sipas Zaev, projekti i LSDM-së për lista multi-etnike do të ndalonte keqpërdorimin e votës shqiptare dhe zhvillimin e pazareve politike në kurriz të elektoratit shqiptar. Por, zëdhënësi i BDI-së Bujar Osmani, në emisionin 360 gradë në Alsat theksoi se përfaqësues i shqiptarëve mund të jetë vetëm subjekti që përfaqëson mbi 50 për qind shqiptarët./alsat-m