Parlamenti studentor pranë Universitetit të Evropës Juglindore është i zhgënjyer me zonjën Teuta Arifi për shkak të anulimit të debatit që do duhej të realizohej sot mes dy kandidatëve për kryetar të Komunës së Tetovës.

“Edhe pse pjesëmarrja ishte e konfirmuar nga të dyja palët me shkrim, mospjesmarrja na u kumtua në moment të fundit dhe pa ndonjë arsyetim.

Vlerësojmë se përballje të këtilla me studentë nuk janë realizuar deri më tani. Ne u gëzuam që studentët janë më meritorët për të qenë pjesë e një dialogu të hapur mes dy kandidatëve, ku do ti përballim me argumentet dhe kundërargumentet se kush si e sheh zhvillimin dhe vizionin e të ardhmes së qytetit tonë. Debatet e këtilla janë vlerë e çmuar e demokracive perëndimore. Ikja nga bashkëbisedime të këtilla në demokracitë e shëndosha konsiderohet si arrogancë dhe mospërfillje për llogaridhënie ndaj qytetarëve.

Ne shprehim keqardhjen tonë dhe ikja nga ky debat na kujton kohën e shtetit të kapur, që tani duhet të ndryshoje. Menduam se ka filluar një frymë e re, por për fat të keq u zhgënjyem”, thuhet në kumtesën e Parlamentit Studentor.