Po afrohet 8 nëntori dita e gjykimit, dita e zgjedhjeve të përgjithshme këtu në Shtetet e Bashkuara, përfshirë zgjedhjen e presidentit të ardhëshëm të Shteteve të Bashkuara dhe anëtarëve të Kongresit dhe të Senatit amerikan. Siç dihet tanimë, një kandidate për në Kongresin amerikan në këto zgjedhje — për herë të parë në historinë e komunitetit shqiptaro-amerikan, si femër dhe shqiptaro-amerikane — është Suzanna Shkreli, e cila po garon në zonën elektorale numër 8 të shtetit Miçigen, si kandidate e Partisë Demokrate amerikane.
Suzanna Shkreli ka siguruar tanimë mbështetjen me rëndësi për kandidaturën e saj nga Presidenti Barak Obama si dhe nga disa senatorë të Shteteve të Bashkuara, zyrtarë vendorë dhe madje edhe nga këngëtarja e njohur amerikane e muzikës pop, CHER.
Ndërkaq, të ënjtën, Suzanna Shkreli njoftoi në faqen e saj të “Facebook-ut” se kishte marrë mbështetjen nga gazeta “State News”, e Universitetit të Shtetit të Miçigen. Dikush mund të thotë se çfarë rëndësie ka një mbështetje e tillë nga një gazetë universitare. Rëndësia e mbështetjes nga kjo gazetë është se “State News” është zëdhënse e këtij universiteti që është i nënti universitet në Shtetet e Bashkuara për nga madhësia, me mbi 50,000 studentë — që është pothuaj popullësia e një qyteti mesatar — që mbulon një sipërfaqe prej 40 kilometra katrorë.
Në editorialin e 3 nëntorit, në mbështetje të kandidaturës së Suzanna Shkrelit për Kongresin amerikan, bordi redaksional i gazetës “State News” të Universitetit Shtetëror të Miçigenit, thuhet se, “Zgjedhjet e 8 nëntorit janë më të rëndësishme se vetëm vendimi se kush do të jetë presidenti i ardhëshëm i Shteteve të Bashkuara.” Gazeta universitare u bën thirrje studentëve dhe banorëve të lagjës East Lansing, të cilët kanë të drejtë vote, të votojnë në lagjën elektorale numër 8. Bordi redaksional njofton lexuesit se “Gazeta State News ka vendosur të mbështesë kandidaten e Partisë Demokrate Suzanna Shkreli në lagjën elektorale numër 8 të Kongresit Amerikan”.