Gazetar: Emir Hamzai

Këshilli për Etikë në Media të Maqedonisë (KEMM), sot ka mbajtur një takim-diskutim me gazetarët në Tetovë në qendrën ‘Loja’ me temë ”Media, zgjedhjet dhe roli i vetërregullimit”, njofton Fol.

Ky takim i KEMM-it, përveç prezantimit të aktiviteteve të tyre, potentcoi rëndësinë dhe fazën e zgjerimit të saj. Në panel ishte drejtoresha ekzekutive e KEMM-it, Marina Toneva, kryetari i Komisionit të ankesave, Mirçe Adamçеvski, eksperti i medias dhe anëtari i KEMM-it, Sefer Tahiri dhe Filip Gjorçinevski anëtarë i këshillit.

Toneva dhe Adamçevski folën në lidhje me rolin e KEMM-it, çfarë pune bën këshilli, paraqitja e ankesave dhe në të njëjtën kohë si shqyrtohet ajo, ndërsa Filip Gj. prezantoi ligjin për përgjegjësi qytetare për ofendim dhe shpifje, organin kryesor të KEMM-it, procesin e komunikimit me median.

Eksperti dhe njëherit anëtar i KEMM-it, Sefer Tahiri foli për përmirësimin e gjendjes së medias dhe se ideja e takimit është që të afirmohen standardet profesionale.

”Ideja e këtij takimi është që të afirmohen standardet profesionale dhe normat etike që janë të parashikuara me Kodin etik. Ju e dini se gjendja e medias në Maqedoni është shumë e vështirë dhe ka në një farë mënyre degradim të respektimit të standardeve profesionale, siç janë saktësia dhe vërtetësia e lajmeve”, ka shtuar Tahiri.

Seferi më tej shtoi se një medium duhet të jetë i identifikuar, duke u nisur nga themeluesi i saj, kryeredaktori, redaktori dhe gazetari. Është shumë me rëndësi që publiku ta dijë se kush e prodhon lajmin sepse, sipas tij, kjo do t’i shërbente integritetit profesional.

Përndryshe KEMM është themeluar para katër viteve, por aktivisht në avancimin e saj punon gati dy vite. /Fol/

Të drejtat e artikullit i takojnë portalit Fol. Vërejtje: Mos e përvetësoni lajmin pa cituar!