Maqedonia dhe Bullgaria duket se e kanë hapur një faqe të re të historisë, me vizitën e kryeministrit të Maqedonisë, Zoran Zaev në Sofje.
Nga marrëveshja për fqinjësi të mirë mes dy vendeve ka mbetur edhe një detaj i vogël dhe ajo mund të nënshkruhet në ditën e Ilidenit, më dy gusht, deklaroi kryeministri Zaev pas takimit me homologun bullgar, Boyko Borisov.
Zaev në Sofje u përkul para përmendores së Car Samoilit, të cilën dy vendet e llogarisin si të vetin. Një përmendore e këtij personaliteti ekziston edhe në Shkup, dhe përkulje para tij ka premtuar edhe kryeministri bullgar.

“Sot Maqedonia po e mbyll kapitullin e nacionalizmit dhe po hap faqen e re të së ardhmes evropiane. Ne kemi nevojën për ndihmën bullgare dhe ajo mund të bëjë këtë. Deri në arritjen e marrëveshjes përfundimtare ka mbetur edhe një detaj i vogël të cilin shërbimet tona do ta mbyllin. Më nuk do të ketë komisione për negociata, do të bisedojnë ministrat e punëve të brendshme për harmonizimin e qëndrimeve që të mund të nënshkruajmë marrëveshjen gjatë vizitave të ndërsjella më rastin e shënimit të ditës së Ilindenit”, ka deklaruar Zaev .