Kosovari Blerim Podvorica raportohet ta ketë vrarë veten derisa me veturën e tij të mbushur me eksploziv, sulmoi një turmë ushtarësh të Assadit në Tedmur të qytetit perëndimor të Sirisë, Homs.

Ngjarja ka ndodhur mbrëmjen e së hënës të javës që shkoi.

Vdekjen e kosovarit nga fshati Kojskë i Lipjanit e ka konfirmuar vetë vëllai i Blerim Podvoricës, Kreshnik Podvorica, përmes Facebook-ut.

“E për ata që u mbytën në rrugën e All-llahut mos thoni janë të vdekur jo ata janë të gjallë por ju nuk kuptoni”, citon një ajet të Kur’anit, vëllai i të vrarit, derisa jep njoftimin për vrasjen e tij.

Në dy shpërthimet e veturave me eksploziv, njërin prej të cilëve e kreu kosovari Podvorica, më 12 qershor në Tedmur, mbeten të vrarë 12 ushtarë sirianë, ndërsa në përleshjet që pasuan pas shpërthimit kishin humbur jetën edhe 30 anëtarët të ISIS-it.

Lajmi se është vrarë lipjanasi Blerim Podvorica është dhënë edhe në disa portale tjera kosovare.

Podvorica si ushtar i ISIS-it kishte marrë emrin Ebu Zejd Kosovi, shkruan Gazeta Express.

Kreshnik Podvorcia, i vëllai i Blerimit, thotë se ka edhe pamje të sulmit me eksploziv që kreu kosovari.

Ndryshe, Podvorica është kosovari i pestë i ISIS-it që njoftohet të jetë vrarë në Siri, për vetëm brenda një muaji. Para më pak se dy jave, në një sulm me bombe të lansuar nga aeroplanët pa pilotë mbi një kamp të “Shtetit Islamik”, u raportua të jetë vrarë edhe komandanti i vetëshpallur i ISIS-it, Lavdrim Muhaxheri dhe Irfan Haqifi, vëllai i terroristit Ridvan Haqifi që, po ashtu, u vra muaj më parë.

Ky është sulmi i dytë kamikaz i kryer nga një kosovar në luftime përkrah ISIS-it. Në mars të 2014-s Blerim Heta kishte çuar veten në ajër në Irak, duke vrarë mbi 50 irakianë.