Lidhur me takimin, zëdhënësi i Dutertes ka thënë se “liderët kanë theksuar se ndihen të gëzuar që më në fund janë takuar me njëri-tjetrin. Takimi ishte i shkurtër, por i ngrohtë”

Presidenti i Shteteve të Bashkuara të Amerikës (SHBA), Donald Trump, dhe homologu i tij filipinas, Rodrigo Duterte, janë takuar për herë të parë në Samitin e Bashkëpunimit Ekonomik të Azisë-Paqësorit (APEC) në Vietnam, njoftoi media lokale, transmeton Anadolu Agency (AA).

Lidhur me takimin, zëdhënësi i Dutertes ka thënë se “liderët kanë theksuar se ndihen të gëzuar që më në fund janë takuar me njëri-tjetrin”. “Takimi ishte i shkurtër, por i ngrohtë”, ka theksuar ai.

Fotografia nga takimi është shpërndarë nga sekretari i Dutertes, Christopher Go, ndërsa në të shihet se takimi Duterte-Trump është zhvilluar në një mjedis ku i pranishëm ka qenë edhe kryeministri i Australisë, Malcolm Turnbull.

Dy liderët pritet të takohen edhe në kuadër të Samitit të Bashkëpunimit mes Kombeve të Azisë Juglindore (ASEAN) i cili do të fillojë sot në kryeqytetin e Filipineve, Manila.

Takmi i dy liderëve pritet të jetë një nga zhvillimet më të përfolura për sa i përket ASEAN-it, për arsye se marrëdhëniet Filipine-SHBA ishin përkeqësuar për shkak të fushatës së përgjakshme të Dutertes kundër drogës, ndërsa SHBA-të kishin ndalur shitjen e armëve për këtë shtet, duke theksuar se gjatë operacioneve antidrogë ka shkelur të drejtat e njeriut.

Ndryshe, në samitin paraprak të ASEAN-it, Duterte kishte përdorur shprehje fyese në drejtim të ish-presidentit amerikan Barack Obama.