Në emisionin ‘Vo Centar’ të Vasko Eftovit, me temë ‘Sa do të zgjatë qeveria e Zoran Zaevit’, kryekomunari i Gostivarit, Arben Taravari, është lëvduar nga gazetari Eftov, duke u shprehur se Taravari ia doli kundër të gjithëve dhe doli fitues në zgjedhjet lokale të 29 tetorit, edhe atë ndaj Ali Ahmetit, Nevzat Bejtës dhe Zoran Zaevit, shkruan Fol.

Eftov në pyetjen e tij sqaruese ndaj Taravarit, ka theksuar se Taravari nuk e ka pasur të lehtë ndaj një sistemi kriminel, para, policia, ndjekje, përgjime dhe ky është një presion i madh, vetëm e vetëm për të humbur Taravari.

Taravari është përgjigjur se askush nuk mund ta blejë vullnetin e popullit apo ta ndryshojë atë. Ai ka shtuar se ka pritur që fitorja të jetë me mbi dy mijë vota dallim, mirëpo përsëri është mirë kur dihet se ia ka dalë kundër një sistemi të tërë, edhe atë me ndihmën e të gjithë etnive në Gostivar. /Fol/