Sekretari i Përgjithshëm i LR-PDSH-së, Arben Taravari ka reaguar për Universitetin e ri “Nënë Tereza” që duhet të hapej në Shkup me inicim të Ministrisë së Arsimit dhe Shkencës. Dhe, ndërkohë ai ka thumbuar zyrtarët e lartë shtetëror për këtë nismë, për të cilën ai konsideron se Qeveria po bën cirk para popullatës, dhe se Universitetet janë punë serioze! Arben Taravari përmes një shkrimi në Facebook, ka ironizuar punën e qeverisë në lidhje me universitetin e ri të Shkupit, dhe i rikujton Ministrisë së Arsimit dhe Shkencës se Universitetet nuk janë çështje të lehta që mund të hapën brenda tre javësh, por kërkon kohë dhe përkushtim për çështje të tilla që janë mjaft më rëndësi për një shoqëri.

Portali fol.mk, iu sjell më poshtë qëndrimin e tij në mënyrë integrale të bërë në Facebook:

“Mos u tallni me ardhmërinë e fëmijve tanë, nuk hapen Universitete nëpër Banka, jo se nuk keni pasur kohë, 15 vjet jeni në Qeveri dhe 5 vitet e fundit në po atë Qeveri e udhëhiqni Ministrinë e Arsimit dhe Shkencës. Mos bëni cirk para popullatës, Universitetet janë punë serioze, nuk hapet konkurs për punësim të stafit në Universitet, 3 javë para nisjes së vitit akademik. Edhe foshnjorja kur hapet, pak më herët zgjidhet kuadri punonjës. Mos u habitni mandej pse nuk ua gjejmë Universitetet me llupë në listën e Shangajit”!, ka shkruar Sekretari i Përgjithshëm i LR-PDSH-së, Arben Taravari