Eurokomisioneri Johanes Han do të prezantojë para Komitetit të politikës në Parlamentin Evropian, paketën për zgjerim të Bashkimit Evropian, të mërkurën në ora 11. Han do të prezantojë raportet e progresit të vendeve kandidate dhe propozimin për marrjen eventuale të statusit kandidat për Bosnjë-Hercegovinën. Edhe pse autoritet në Shkup kishin deklaruar se kanë pasur mundësinë të shohin një draft të raportit për Maqedoninë e Veriut, detajet akoma nuk janë mësuar. Por, vetë Han, disa herë kishte deklaruar se Komisioni Evropian do të rekomandojë fillimin e negociatave për Maqedoninë e Veriut dhe Shqipërinë. Një vendim konkret për fillimin eventual të bisedimeve nuk do të ketë deri më 18 qershor në takimin e ministrave të Jashtëm të vendeve anëtare.

Sipas “Financial Times”, Shqipëria nga diplomatët shihet si më pak e përgatitur për shkak të shqetësimeve për sundimin e së drejtës, krimit të organizuar dhe korrupsionit. Por sa i takon Maqedonisë së Veriut, thuhet se janë bërë hapa të dukshëm për përmbushjen e kushteve. Për po të njëjtën medie, ministri i Jashtëm Nikolla Dimitrov ka deklaruar:

“Nuk besoj se këtë vit është aq e lehtë të injohoret rasti jonë. BE-ja do të humbasë ndikimin në Ballkanin perëndimor dhe rrezikon të nxisë rivalët si Rusinë dhe Kinën nëse dështon të njohë rastin bindës të Maqedonisë së Veriut për të filluar negociatat për anëtarësim. Nëse Europa nuk arrinë të bëjë ndryshim në Ballkan, atëherë është e vështirë të imagjinohet se si mund të bëjë ndryshim diku tjetër”.

Dyshime ka akoma se si do të votojnë Franca, Gjermania dhe Holanda duke pasur parasysh skepticizmin e tyre mbi zgjerimin e mëtejshëm të BE-së dhe afateve të ngushta kohore për të marrë një vendim. Qeveria në Shkup shpreson që negociatat me BE-në të fillojnë brenda vitit 2019.