Paralajmërimet për rritje enorme të temperaturave kanë alarmuar zjarrfikësit, sidomos pas paraqitjes së zjarreve të shumta në vende të ndryshme, të cilat, jo rrallë kanë përfunduar dhe me viktima. Nga Njësia Territoriale kundër zjarrit në Tetovë, kërkojnë nga qytetarët që të kenë kujdes gjatë daljeve të tyre në male si dhe në hedhjen e duqeve të cigareve.

 Apelojmë që të sillemi me shumë kujdes ndaj apeleve të institucioneve relevante. Të mos ndizen zjarre në pyje dhe në vende të tjera për piknik që shfrytëzojnë qytetarët tanë. Të mos hidhen mbetjet e duhanit apo cigareve, të plastikës apo mbeturinave tjera nga letra. Të mos digjet kashta në hapësirat bujqësore, kjo vlen për bujqit që punojnë tokat, të kenë kujdes mos iu rrjedh vaji apo lënda djegëse nga motori sepse në këto temperatura shumë lehtë ndizen. Deri më sot kemi 217 intervenime, është një shifër e madhe – tha Uka Aliti. Shef i NJTKZ Tetovë.

Alarm jepet edhe nga Urgjenca. Mjekët rekomandojnë kujdes ditëve në vazhdim ndaj ekspozimit në diell, në temperaturat që pritet të arrijnë deri në 40 gradë. Kjo vlen sidomos për personat e moshuar dhe ata me sëmundje kronike.

 Pritet të kemi rritje të numrit të pacientëve. Rekomandimi kryesor është konsumimi i lëngjeve por jo me kalori të madhe me sheqerna, por konkretisht ujë. Pastaj kur është nxehtë mos dalin jashtë në periudhën e të nxehtit të madh – deklaroi Gzim Nuredini Urgjenca e Tetovës.

Temperaturat e larta edhe gjatë viteve të kaluara kanë shkaktuar rritjen e rreziqeve nga zjarret sidomos në pyje si dhe pasoja shëndetësore te personat me imunitet të dobët.

Bashkim Sulejmani