Një numër i madh qytetarësh kanë filluar që të mblidhen përpara Gjykatës Kushtetuese, ku pritet që të ketë protestë, për dhe kundër kësaj gjykate, transmeton Telegrafi Maqedoni.

Qytetarët kanë filluar që të vendosin tenda dhe ulëse plastike pasi që thonë se do të qëndrojnë aty për të mbështetur institucionet. Portali Faktor, njofton se këto tenda i ka vendosur Opcioni Qytetar Maqedonas (OQM), e cila dje paralajmëroi një kundërprotestë për në ora 18.

Përreth Gjykatës Kushtetuese vërehet prani e shtuar e forcave policore, ndërkaq protestat e sotme mund të sjellin përplasje të qytetarëve, të cilët janë shprehur për dhe kundër vendimit të kësaj gjykate për të pranuar ndryshime në Ligjin për faljen e të dënuarve, ku duhet të përfshihen edhe të dënuarit për parregullsi zgjedhore.

Ndryshe, shoqata qytetare ”Hajde” ka ftuar qytetarët në protestë kundër Gjykatës Kushtetuese, kurse disa parti politike si, E majta, LSDM, kanë paralajmëruar mbështetje të protestës.