Irani dhe Bashkimi Evropian janë pajtuar se Teherani i ka mbajtur premtimet atomike dhe se tash mund të zbatohet tërheqja e sanksioneve ndërkombëtare kundër Iranit.

Ministri i jashtëm i Iranit, Mohammad Javad Zarif, dhe përfaqësuesja e lartë e Bashkimit Evropian për politikë të jashtme dhe siguri, Federica Mogherini, këtë pajtueshmëri e kanë shpallur mbrëmë vonë, në një konferencë për gazetarë në Vjenë. Në deklaratën e përbashkët të dy zyrtarët e lartë theksuan se “kjo e arritur qartas demonstron se me vullnet politik, këmbëngulje dhe nëpërmjet diplomacisë shumëpalëshe, ne mund t’i zgjidhim çështjet më të vështira dhe të gjejmë zgjidhje praktike që implementohen efektivisht”. Marrëveshja është mbështetur nga Shtetet e Bashkuara. Sekretari amerikan i shtetit, John Kerry, ka marrë pjesë në takimet e djeshme në Vjenë, por nuk ishte i pranishëm në konferencën për gazetarë. Kjo deklaratë u bë pasi Agjencia Ndërkombëtare e Energjisë Bërthamore tha dje më herët gjatë ditës, se Irani i ka përmbushur përkushtimet e veta të parapara me marrëveshjen atomike, në të cilën theksohet tërheqja e sanksioneve kundër Iranit në këmbim për kufizim të programit bërthamor iranian.(rel)

iran