Këto janë pamjet tmerruese nga tërmeti me magnitudë prej 6.9 sipas shkallës Rihter që dridhi Turqinë. Nëpër rrugë shihen njerëz të tmerruar, disa prej tyre vështrojnë ndërtesat e shembura ku ende nuk dihet nëse dhe sa persona ndodhen nën rrënoja, e disa të tjerë shtrëngojnë duart e të afërmve. Dridhjet e para në Izmir, janë ndierë rreth orës 14:51, sipas orës lokale. Epiqendra e tërmetit është regjistruar 17 km nga Izmiri, përkatësisht në brigjet e rajonit Seferihisar. Autoritetet turke janë mobilizuar maksimalisht. Të njëjtat kanë apeluar deri tek qytetarët që të mos tentojnë të afrohen apo të futen në ndërtesat në zonat e goditura, ndërkohë që po bëhet vëzhgim ajror. Mediat turke thanë se tërmeti u ndje në të gjithë rajonet e Egjeut dhe Marmaras, ku ndodhet edhe qyteti i Stambollit.

Tërmeti është ndjerë edhe në Greqi. Kathimerini shkruan se mediat lokale në ishullin grek Samos në kanë transmetuar pamjet e një kishe të dëmtuar rëndë dhe çarje në ndërtesa dhe rrugë. “Njerëzit janë në panik dhe kanë zbarkuar në rrugë,” tha Zëvendës Kryetari i Samosit Giorgos Dionysiou, duke përshkruar “skenat e kaosit” në ishull. Numri i ndërtesave të dëmtuara, sipas tij, është i lartë, por nuk është raportuar për të lënduar. Tërmeti u ndje gjithashtu në të gjithë ishujt lindorë grekë, dhe madje edhe në kryeqytetin e Greqisë, në Athinë