Federata Ndërkombëtare e Xhudos (IFJ) ka bërë të ditur se refuzimi i Majlinda Kelmendit për t’iu nënshtruar testeve anti-doping dy muaj më parë në Francë, nuk ka të bëjë me këtë federatë.

Megjithatë, IFJ ka bërë të ditur se çdo sanksion i dhënë do të zbatohet vetëm në territorin francez, pasi që aksionin për të kontrolluar Kelmendin e ka bërë Agjencia Franceze e Anti-dopingut, raporton Insajderi.

“Një kontroll është bërë në muajin qershor në Francë. Procedura është kontestuar nga atletja dhe trajneri i saj dhe duket e diskutueshme si çështje për IJF-në”, ka thënë Federata Ndërkombëtare e Xhudos.

Majlinda, e cila fitoi medaljen e artë një natë më parë në Lojërat Olimpike të Rio 2016, ka bërë kontrollet e nevojshme të anti-dopingut në Rio nga autoritetet e IOC dhe ka dalë e suksesshme. Si rrjedhojë medalja e saj e artë nuk mund të kontestohet, njofton Insajderi.

Ndërkaq, autoritetet franceze mund ta suspendojnë 25-vjeçaren nga garimi në territorin francez.

Kryetari i Federatës Kosovare të Xhudos, Agron Kuka ka reaguar ndaj akuzave duke sqaruar se kontrollet anti-doping ishin tentuar të bëheshin nga një agjenci e paautorizuar nga IFJ dhe IOC.

“Nuk e kuptoj arsyen përse po e bëjnë të madhe këtë punë. Nuk ka kurrfarë shpjegimi”, ka thënë fillimisht Kuka për The Guardian, i habitur me lajmin e publikuar disa orë më parë në mediet franceze dhe spanjolle.