Takimet e kryetarit të PDSH-së me simpatizantët e partisë së tij kanë nis të shpeshtohen ditëve të fundit. Karvani i tij dje ishte në fshatin Sellcë të malësisë së Tetovës.

Për dallim nga takimet e para disa ditëve në Studeniçan dhe Sllatinë ekipi i PDSH-së në Sellcë kishte zgjedhur një klasë të shkollës fillore, për të bashkëbiseduar me problemet e banorëve, por ajo që ra në sy kësaj radhe ishte klasa gjysëm e zbrazur, dhe një ambient tepër i zymtë i paparë në tubimet e PDSH-së, që nga themelimi i kësaj partie e deri më sot. Mos vallë këto pamje vërtetojnë atë që flitet se gati e tërë antarësia e PDSH-së ia ka kthyer shpinën tashmë liderit të kësaj partie pas publikimit të ashtuquajturave “bomba” të opozitës maqedonase të cilat vërtetuan vazalitetin e kryetarit të tyre ndaj shefit të shërbimit sekret. Mungesa e mbështetjes në Sellcë dhe në krejt malësinë sigurisht se është një “kambanë” për PDSH-në e cila kalon ditët më të vështira të funksionimit të saj. Mbase edhe beteja kryesore e kësaj partie në këto zgjedhje pritet të jetë mbijetesa politike e PDSH- së dhe liderit Thaçi.

Si zakonisht në çdo tubim tjetër zyrtarë të lartë të PDSH-së si sekretari Azem Sadiki dhe deputetët tjerë ishin shumë aktiv në publikimin e fotove nga takime, po për çudi edhe pse e ishin të pranishëm e gjithë struktura udhëheqëse kësaj radhe nuk deshtën ta ndajnë zhgënjimin e tyre me ndjekësit në rrjetet sociale. A është ngjarja e Sellcës një tregues, se përfundimisht aty ku edhe ishte bastioni më i fortë i PDSH-së, Tetova të ketë humbur mbështetja më e madhe. Kjo pritet të dëshmohet në zgjedhjet e 11 dhjetorit nëse do të mbahen.