BDI-së nuk mund t’i falet manipulimi i vullnetit të shqiptarëve. Ky është qëndrimi i Aleancës për Shqiptarët lidhur me kërkesën e partisë së Ahmetit për bashkëpunim. Sekretari i përgjithshëm i Aleancës për Shqiptarët Arben Taravari akuzoi BDI-në për blerje votash dhe mbushje të kutive. Ai tha për Alsat se bashkë me partnerin e koalicionit po shqyrtojnë mundësinë të organizojnë edhe protesta, me qëllim të mbrojtjes së votës.

“Është hipokrizi totale e një funksionari të lartë të BDI-së i cili para 5-6 ditësh i ka mbush kutitë, i a blerë votat, ka bërë inxhiniering zgjedhor, i ka keqpërdor dhe e ka abuzuar vullnetin politik të shqiptarëve, e tash kërkon falje dhe fton që të uleni bashkë. Njësoj si një hajdut që vjen në shtëpinë tuaj, vjedhë dhe pas dy ditësh u thirre në drekë të shkoni mysafir tek ai, që për ne është e papranueshme”- deklaroi Arben Taravari, Sekretar i Përgjithshëm i Aleancës për Shqiptarët

Nga Lëvizja BESA thonë se për momentin janë në pushim dhe nuk prononcohen rreth kësaj teme. Pa përgjigje edhe nga PDSH.

BDI-ja nëpërmjet zëdhënësit të saj edhe një herë kërkoi bashkëpunim mes subjekteve politike shqiptare.

“E shtrijmë dorën e bashkëpunimit me të gjithë, pa hatër mbetje t’i përveshim mëngët dhe të punojmë për një jetë më të mirë për të gjithë. Askush mos të ndihet i dëshpëruar, do punojmë për të gjithë njësoj dhe pa dallime politike dhe etnike”- pohoi Bujar Osmani, BDI

Për dallim nga qëndrimi i sotëm i BDI-së, kreu i integristëve më herët liderët e partive shqiptare i kishte quajtur horra.

Takimi i fundit i liderëve të partive shqiptare ishte ai i muajit mars të vitit 2017, në vazhdën e takimeve që mbaheshin pas marrëveshjes së arritur në Tiranë.