‘Titanik’, reagimet e partive politike

Lideri i VMRO DPMNE dhe ish kryeministër në kohën për të cilën ngarkohet ministrat e partisë së tij për bashkim kriminel Nikolla Gruevski, nuk deshi sot që të prononcohet për rastin e hapur nga prokuroria speciale publike, “Titanik”.

“Do të ketë kumtesë me shkrim”, tha Nikolla Gruevski, kryetar i VMRO DPMNE-së.

Në kumtesën e VMRO DPMNE-së thuhet se kjo parti e fiton besimin nga qytetarët në 10 vitet e fundit në bazë të projekteve dhe rezultateve.

“VMRO DPMNE-ja votoi dhe mbështeti zgjedhjen e prokurorisë speciale publike. Por, fatkeqësisht gjatë periudhës së kaluar ishim dëshmitarë të deklaratave të pamatura nga lideri i LSDM-së, Zoran Zaev i akuzuar në disa raste penale- juridike, në të cilat ai i paralajmëronte hapat e prokurorisë speciale publike. Me këtë, në mënyrë drastike është shkelur kredibiliteti i institucionit dhe u hodh hije në profesionalizmin dhe paanshmërinë e saj”, thuhet në kumtesë.

Nga kjo parti shtojnë se nuk do të mbështesin punë të paligjshme dhe jo- kushtetuese të Prokurorisë speciale publike. Për VMRO DPMNE-në, paraqitja e Prokurorisë Speciale Publike është paraqitje politike në të cilën janë thirrur një numër i madh i personave, funksionar të partisë, të cilët nuk kanë kryer kurrfarë vepre penale dhe këtë do ta dëshmojnë në procedurën e mëtejshme. Nga ana tjetër, nga LSDM shprehen se

“Institucioni i pavarur Prokurori speciale publike punon në përputhje me ligjet në Republikës së Maqedonisë. Prokuroria speciale publike është formuar si rezultat i Marrëveshjes së Përzhinës që u firmos nga katër partitë dhe është zgjedhur me shumicë dërmuese në Kuvendin e RM-së. qytetarët presin që të kthehet besimi në sistemin gjyqësor në R. e Maqedonisë. Secili që i ka shkelur kushtetutën dhe ligjet në Maqedoni duhet doemos të mbaj përgjegjësi”, shprehen nga LSDM-ja opozitare.