Ministria e Punëve të Brendshme ka refuzuar kërkesën e kryetarit të OBRM-PDUKM-së, Nikolla Gruevski, që të merr 20 truproje shtesë.

Oliver Spasovski në konferencë për shtyp tha se sipas vlerësimeve të kryera nuk ekzistojnë kërcënime të sigurisë për Gruevskin dhe familjen e tij dhe për këtë arsye numri i truprojeve do të mbetet 6, përcjell Telegrafi Maqedoni.

“Sipas analizave të bëra dhe vlerësimeve dhe duke pasur parasysh se sigurimi aktual i tij prej 6 personave nuk ka paraqitur asnjë kërcënim, është konstatuar se ajo kërkesë nuk duhet të pranohet”, tha Spasovski.

Në korrik Gruevski kërkoi që në vend 6 truprojeve të ketë 20, pasi sipas tij, ka pasur kërcënime me jetë.

Jozyrtarisht, Gruevski përderisa ka ushtruar funksionin e kryeministrit, për 10 vite ka pasur gjithsej 78 truproje, ndërsa me ardhjen e Oliver Spasovskit në MPB, Gruevski ka vetëm 6 truproje, siç e parasheh ligji.