Organizatat joqeveritare dhe institucionet e Republikës së Kosovës kanë organizuar tubim të hënën nga ora 12:00 në sheshin “Skënderbeu” në Prishtinë.

Këtë e ka bërë të ditur deputeti nga radhët e Lëvizjes Vetëvendosje, Haki Abazi, i cili ka thënë se ajo që po ndodhë sot në Ukrainë është kujtim i freskët i luftës së fundit në Kosovë, andaj në shenjë solidarizimi dhe përkrahje për popullin ukrainas, kërkohet që të dilet në këtë protestë.

“Shkatërrimi i infrastrukturës, pastrimi i fshatrave dhe qyteteve nga makineritë ushtarake, radhët e gjata të njerëzve duke kaluar kufijtë për të qenë më të sigurt, janë kujtimi i freskët i Luftës nëpër të cilën ka kaluar populli ynë. Andaj, në shenjë solidarizimi dhe përkrahje me popullin Ukrainas, përfaqësuesit legjitim të popullit Ukrainas e në mbështetje të luftës së tyre heroike për mbrojtjen e lirisë dhe demokracisë, ju ftojmë që të mblidhemi në Sheshin Skënderbeu në qendër të Prishtinës, ditën e Hënë me datë 7 mars 2022, në mesditë, në ora 12:00h”, ka shkruar Abazi në llogarinë e tij në Facebook.

Ai më tej ka thënë se në këtë tubim do të kërkohet ndalja e luftës dhe pushtimit të Ukrainës.