Turqi, 4 të plagosur nga shpërthimi në Maltepe të Stambollit

Një pako, që po dërgohej me destinacion një kompani pajisjes elektronike dhe inxhinierike, ka shpërthyer në qarkun Maltepe të Stambollit këtë të hënë, duke plagosur 4 persona.

Lajmi bëhet i ditur nga mediet turke, e veçanërisht agjencia e lajmeve “Dogan”.

Shpërthimi mësohet të ketë ndodhur menjëherë pasi një punonjës i kompanisë hapi pakon në fjalë.

Nga fuqia e këtij shpërthimi janë plagosur 4 persona në zonën Zumrutevler, njëri prej të cilëve në gjendje kritike për jetën.

Të gjithë ata janë dërguar menjëherë për në spitalin më të afërt, ndërkohë që policia e mbërritur në vendngjarje ka nisur hetimet pas shpërthimit.

Filiali i CNN-it në Turqi bën të ditur se shkaqet e shpërthimit nuk janë bërë ende të ditura.

Maltepe është një rajon tregtar dhe rezidencial në pjesën aziatike të Stambollit, qytet që është vënë prej kohësh nën kërcënimet terroriste, duke qenë se është bërë arenë e disa prej sulmeve më vdekjeprurëse gjatë vitit të kaluar, të marra përsipër nga Shteti Islamik, militantët kurdë dhe ekstremistët e majtë.

/ Top Channel