Njëjtë sikurse VMRO-DPMNE, edhe Partia Demokratike e Turqve e udhëhequr nga ministri pa portofol Bejxhan Ilaz, kërkesën për gjuhën shqipe zyrtare e ka quajtur manipulim, ndërsa Deklaratën e përbashkët të partive shqiptare e ka konsideruar si kërkesë që nxit tensione dhe konflikte me pasoja të mëdha për stabilitetin e vendit dhe rajonit, shkruan gazeta KOHA. “Dhënia e të drejtave ekskluzive të një bashkësie etnike rrënon Kushtetutën që garanton barabarësi të qytetarëve. Nga kjo duhen kuptuar reagimet e pjesëtarëve të komunitetit turk që këto zgjidhje i vlerësojnë si një manipulim i përkryer që mund të nxitë tensione dhe konflikte me pasoja të mëdha për stabilitetin e vendit dhe rajonit”, thuhet në komunikatën e Partisë Demokratike Turke, subjekt ky që për 10 vite është në koalicion me VMRO-DPMNE. “Partia Demokratike e Turqve (Türk Demokratik Partisi) kundërshton zyrtarizimin e vetëm një gjuhë të një etniteti në nivel shtetëror, meqë kjo godet karakterin unitar të shtetit”, thuhet në komunikatë, duke siguruar se “PDT do të vazhdojë të angazhohet për një Maqedoni të fortë dhe unitare”. Në të njëjtë vijë me PDT-në është shprehur edhe partia Forcat Demokratike të Romëve me kryetar Shaban Saliu. Madje, Saliu ka thënë se, nëse LSDM pranon gjuhën shqipe si gjuhë zyrtare, atëherë edhe gjuha rome, ajo turke, boshnjake dhe serbë të jenë në të njëjtën pozitë me shqipen. (koha.mk)